Arbëri

Aksion i Policisë në Ferizaj për parandalimin e dhunës nëpër shkolla

Policia në Ferizaj ka nisur një aktivitet monitorimi për parandalimin e dukurive negative nëpër institucionet shkollore, pas regjistrimit gjatë muajve të fundit të dhjetëra rasteve të dhunës, të shitblerjes së drogave, të konfiskimit të mjeteve të mprehta dhe të dy rasteve të armëmbajtjeve.

Aksioni është pjesë e një bashkëpunimi të policisë me prindërit, si dhe me nxënësit për identifikimin e rasteve të tilla, ndërsa do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Policia dhe drejtuesit e shkollave kanë kërkuar me këtë rast që prindërit të punojnë sa më tepër me fëmijët me qëllim të parandalimit të këtyre dukurive.

“Që nga muaji shkurt i vitit 2022, Policia e Kosovës ka realizuar një mori aktivitetesh në terren. Gjatë kësaj kohe janë konfiskuar 30 thika, kryesisht nga nxënësit e shkollave të mesme. Gjashtë boksa të hekurit, 5 mullinj për bluarjen e marihuanës, tri shufra metalike dhe një elektroshok”, ka thënë Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Nazmi Heda, drejtori i shkollës “Gjon Serreçi” në Ferizaj, ka thënë se prania policëve nëpër institucione shkollore i parandalon dukuritë negative.

“Falë punës së sinkronizuar të mekanizmave të udhëheqësve të shkollës e sidomos ekipit për parandalimin e braktisjes së nxënësve, dhe njëkohësisht edhe punës së psikologëve dhe gjithë shkollës, kemi arritur që ta ulim nivelin e konflikteve dhe faktikisht gati të shuajmë nivelin e konflikteve fizike”, u shpreh Heda.

Aktivitetet e Policisë së Kosovës nëpër shkolla janë përkrahur edhe nga prindërit.

“Kjo është e mirëpritur. Është e nevojshme që t’i përcjellim fëmijët, përveç mësuesit duhet të përcillen edhe nga prindërit, edhe nga policia, sepse afër shkollës ka probleme. Fëmijët janë adoleshentë dhe mund të hyjnë në rrugë të gabueshme”, ka pohuar një prej prindërve, Faik Zeqiri.

“Duke i parë problemet që po ndodhin nëpër shkolla, duke i parë fëmijët që po marrin thika e mjete të ndryshme, të cilët nuk e dinë se çfarë janë duke vepruar, kështu që është një aksion shumë i mirë që e ka ndërmarrë Policia e Kosovës për parandalimin e këtyre problemeve”, ka shtuar prindi tjetër Visar Aliu.

Nga Policia është bërë e ditur se të gjitha rastet e regjistruara janë proceduar për shqyrtim në gjykatë, sipas ligjeve në fuqi.