Arbëri

Agim Veliu kërkon dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga LDK-ja

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është kritikuar pasi i ka quajtur mercenarë ata që e kanë kritikuar Besian Mustafën për deklaratën, ku ka thënë se partia nuk është dashur ta votonte Hashim Thaçin për president. Ish-ministri i Brendshëm dhe ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu ka kërkuar dorëheqjen e udhëheqësve të partisë, duke thënë se LDK-së nuk i duhen arsyetimet

Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka kërkuar dorëheqjen e liderit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku dhe mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme në parti.

Në një reagim pas komenteve të fundit të Abdixhikut, Veliu ka thënë se humbjet e rënda s’mund të kalohen me heshtje.

LDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka dalë parti e tretë me pak më shumë se 13 për qind të votave. Gjithsej do të ketë 15 deputetë nga 20 sa pati në legjislaturën e shkuar.

E Veliu ka thënë se mesazhi i qytetarëve nuk duhet të anashkalohet, tek ka bërë thirrje për ta hapur demokracinë brenda partisë.

“Si kontribuues i LDK-së, ndiej obligim moral dhe politik të them se humbjet e rënda nuk mund të relativizohen, as të kalohen me heshtje. Në demokraci, përgjegjësia është parakusht për besim, ndërsa dorëheqja nuk është dobësi, por akt force dhe pjekurie politike. Prandaj: dera është e hapur! LDK, sot nuk ka nevojë për justifikime (në studio televizive), por për: analizë të menjëhershme të shkaqeve të humbjes; hapje të brendshme dhe demokraci funksionale; dhe për një proces të ri zgjedhor në të gjitha nivelet që i jep shpresë anëtarësisë dhe elektoratit”, ka shkruar Veliu.

Ai nuk ishte përfshirë në listën e LDK-së si kandidat për deputetë në dy palë zgjedhjet e mbajtura më 2025. Më herët ishte kryetar i Podujevës, deputet dhe ministër i Punëve të Brendshme.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, një ditë më parë i quajti mercenarë ata që e kritikuan deputetin e zgjedhur Besian Mustafa, pasi në një emision ka thënë se “LDK-ja s’është dashur ta votojë Hashim Thaçin për president”.

Abdixhiku ka bërë dy postime për këtë.

“Mercenarët u lajmëruan vet. Pa i përmendur. Siç thotë populli, u vetëlajmëruan ata me mizë mbas veshi. Dhe në lajmërimin e tyre, treguan se si mendojnë. Mendojnë se të gjithë sillen rreth krimit, sepse aty rrotullohen vet. Dikush rrotullohet aq larg sa mbërrin dhe Aeroportin e Vlorës. Mendojnë se të gjithë shiten, sepse vetë janë për shitje. Mendojnë se të gjithë frikësohen, sepse vetë jetojnë nga frika. Ky është botëkuptimi i tyre. Nuk do ta lejojmë këtë botëkuptim të shtrihet në LDK as si fjalë, as si mendim, edhe më pak si ndikim”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku në postimin e dytë për këtë çështje.

Në fakt, Veliu është i fundit nga shumë zëra të brendshëm e të jashtëm, që kanë kërkuar riorganizim të LDK-së.

Për këtë çështje ka reaguar edhe ish-këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Besnik Berisha, që drejton edhe me Odën e Avokatëve.

“LDK ka nevojë për qartësi, jo për zhurmë. LDK sot nuk ka nevojë për tone të larta, as për etiketime, as për ndarje të reja. Ka nevojë për qartësi. Për komunikim të hapur. Për përgjegjësi politike dhe morale ndaj njerëzve që na besuan votën edhe kur nuk kishim pushtet, edhe kur ishte më e lehte të na braktisnin”, ka shkruar Berisha.

Thirrjet për përgjegjësi kanë ardhur pas rezultatit të dobët  të LDK-së në zgjedhje e 28 dhjetorit. 

Kryetari Lumir Abdixhiku në konferencën e parë pas humbjes së zgjedhjeve, pati thënë se do të thërrasë mbledhjen e Kuvendit për t’i shqyrtuar të gjitha çështjet, përfshirë edhe përgjegjësitë e tij si kryetar. 

Megjithëse në konferencë e ka marrë përgjegjësinë për humbjen, Abdixhiku nuk e ka thirrur Kuvendin e LDK-së as nuk ka dhënë dorëheqje, derisa dëshirën për të qenë kandidat për të udhëhequr me partinë e ka shprehur anëtari Florim Zeqa, por që nuk është pjesë e hierarkisë së LDK-së. 

Ndërkohë, kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, që ka garuar në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit si pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se rezultati i dobët nuk e zbeh “vlerën dhe bashkëpunimin politik” me partinë më të vjetër në vend.