Në episodin e trembëdhjetë të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi diskuton me regjisorin Agim Sopi për filmin, teatrin, projektin e Kosovës e çështje të tjera.
Surroi: Paslufta na gjeti pa kohezion, prandaj të huajt morën drejtimin e shtetit
Veton Surroi, publicist dhe ish-pjesëmarrës në delegacionet më të rëndësishme diplomatike të Kosovës, ka deklaruar në podcastin PIKË se mungesa e kohezionit politik dhe institucional pas luftës, ishte shkaku kryesor pse drejtimi i shtetit u mor nga ndërkombëtarët – me pasoja që ndihen ende sot.
Në një bisedë me regjisorin Agim Sopi, Surroi foli për kontributin e tij në periudhën e pavarësisë, kur ishte pjesë e delegacioneve që i ndërtuan lidhjet ndërkombëtare të Kosovës, si dhe për rolin e madh të Ibrahim Rugovës në ruajtjen e unitetit.
“Rugova nuk dëbonte kuadro, ai tërhiqte njerëz”, ka thënë Surroi, duke theksuar se edhe në kulmin e mospajtimeve, Rugova ruante bashkëpunimin me individë që e kritikonin, përfshirë vetë Surroin.
Por, sipas tij, kjo frymë bashkëpunimi u zbeh pas luftës, duke sjellë dështim në konsolidimin e institucioneve.
“Në Rambouillet, pashë ndasitë mes delegacioneve të LDK-së dhe UÇK-së. Sugjerova që të formoheshin qeveri komunale të përbashkëta, që ditën e çlirimit t’i thoshim komandantit të NATO-s: ‘Jam kryetar komune, si mund t’ju ndihmoj?’ As kjo nuk ndodhi”, kujtoi ai.
Surroi përmendi edhe një iniciativë për ndërtimin e një strukture të re policore pas luftës, duke u bazuar në sindikatën e policisë së vitit 1990, por edhe ajo dështoi për shkak të mungesës së marrëveshjes politike.
“Në momentin që ndërkombëtarët panë se nuk kemi kohezion, ata morën drejtimin e shtetit – dhe kjo ka lënë pasoja të jashtëzakonshme deri më sot”, përfundoi ai.
Surroi: Isha i vetëdijshëm për rrezikun, por s’kisha frikë nga vrasja
Publicisti Veton Surroi ka rrëfyer në podcastin PIKË, në një bisedë me regjisorin Agim Sopi, se nuk ka pasur frikë nga vrasja gjatë viteve të represionit serb në Kosovë, ndonëse ishte i vetëdijshëm për rrezikun e madh që e kanoste atë dhe gjithë shoqërinë shqiptare të asaj kohe.
“Nuk kam pasur frikë”, ka thënë Surroi, duke iu përgjigjur pyetjes së drejtpërdrejtë të Sopit se a kishte menduar ndonjëherë të ikte nga Kosova për shkak të kërcënimit për jetë. “Në vitin 1992 isha në Londër për projektin e rihapjes së seksionit të BBC-së në shqip. Kisha kontratë dyvjeçare me mundësi shtetësie britanike automatike, por u ktheva në Kosovë. Nuk kisha mundësi të rrija atje, isha tejet i investuar personalisht në këtë vend”, shtoi ai.
Surroi ka thënë se në vitet 1989-90 ndodhi një ndryshim i thellë në vetëdijen kolektive të shqiptarëve të Kosovës, kur secili e kuptoi se nuk ishte më çështje se kush dhe pse vritej – por thjesht sepse ishte shqiptar.
“Atëherë filluam të kuptojmë se çdonjëri prej nesh ishte i rrezikuar, jo për atë që kishte bërë, por për atë që ishte. Dhe ky ishte transformimi më i madh – kur solidariteti dhe lëvizja paqësore na mbajtën gjallë si komb”, ka deklaruar Surroi.
Në bisedë, Sopi përmendi edhe eliminimin e babait të Surroit, diplomatit Rexhai Surroi, duke sugjeruar se ai u pengua pikërisht për shkak të lidhjeve të tij ndërkombëtare dhe ndikimit që kishte në rrafshin diplomatik. Në këtë kontekst, Surroi e përshkroi atë periudhë si një kohë kur Serbia synonte ta izolonte Kosovën dhe të priste çdo lidhje substanciale me botën, një strategji që më vonë u konkretizua me projektin famëkeq të “Patkoit”.
Sopi: Shtetet shqiptare janë projeksione intelektuale të elitave të shkolluara jashtë
Regjisori dhe shkrimtari Agim Sopi, i ftuar në podcastin “PIKË” nga Veton Surroi, theksoi se si Kosova, ashtu edhe Shqipëria janë krijuar si projekte intelektuale nga elitat e kohës, të formuara kryesisht jashtë vendit.
“Shtetet shqiptare janë projeksione mendore, ideore dhe intelektuale të krijuara nga një elitë jashtëzakonisht e aftë, e shkolluar dhe jetuar në Perëndim”, ka thënë Sopi në fillim të bisedës, duke bërë paralele mes krijimit të Shqipërisë nga rilindësit dhe projektit të pavarësisë së Kosovës, të drejtuar nga figura si Ibrahim Rugova, Mark Krasniqi, Gazmend Zajmi e të tjerë.
Ai kujtoi se projektet shtetformuese shqiptare u nisën me synimin për t’i dhënë popullit shqiptar një identitet evropian, përballë paragjykimeve që ekzistonin dhe ende ekzistojnë në Evropë për Ballkanin si “një kazan plehrash i mbeturinave otomane”.
“Ka qenë vështirë ta thyesh stereotipin se Ballkani është një vatër trazirash, por elitat shqiptare, me bindje dhe dijeni, kanë projektuar shtetin si një mënyrë për ta sjellë popullin në Europë – jo vetëm gjeografikisht, por edhe kulturorisht”, theksoi Sopi.
Në bisedë u përmendën edhe figurat qendrore të Rilindjes, si vëllezërit Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica e të tjerë, të cilët, sipas Sopit, përfaqësonin një elitë të nivelit evropian dhe botëror, që krijoi shtetin përmes mendimit dhe vizionit, dhe jo përmes forcës së armëve.