Konsumimi i ushqimit të shpejtë në një lokal të Mitrovicës dyshohet se ka shkaktuar helmimin e afro 30 nxënës të shkollave të mesme në Mitrovicë. Të premten ata kanë marr trajtimin në QKMF dhe në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, e disa për shkak të komplikimeve janë kontrolluar nga mjekët edhe të shtunën. Në zbardhjen e shkakut të helmimit janë angazhuar Policia dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë
Afro 35 nxënës të shkollave të mesme të Mitrovicës dyshohet se janë helmuar të premten pas konsumimit të ushqimit në një lokal të qytetit.
Ndonëse me gjendje të përmirësuar shëndetësore, disa prej tyre edhe të shtunën kanë vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare për trajtim. Nxënësit kanë treguar për komplikimet që u janë shfaqur, e për shkak të të cilave sipas mjekëve, tek disa raste është dashur trajtim më i gjatë
“Kam konsumuar hamburger dhe simptomat më janë shfaqur pas një dite, të nesërmen, që po i bije dje e premte. Kam mëndu që është grip dhe nuk kam shkuar te doktori, kam ardhur sot, qe infuzionin jam duke e marrë. ... barkqitje, temperaturë, ethe, marramendje......prej klasës sime janë vetëm tre nxënës, unë dhe dy nxënës të tjerë, e prej paraleleve ka më shumë”, ka thënë njëri nga nxënësit nën kushte anonimiteti.
Mjeku i Urgjencës së QKMF-së, Valon Caka, teksa ka folur për gjendjen shëndetësore të tyre, ka treguar se gjatë së shtunës kanë pranuar rreth 19 raste.
“Ankesat kryesore kanë qenë, së pari ethe, temperaturë, vjellje, simptoma të barkqitjes, dhimbjes së barkut, kokëdhimbje, te disa prej tyre kanë qenë goxha më të shprehura, kështu që ju ka dashur edhe konsulta e dytë me mjekun, trajtim kryesisht me terapi intravenoze, ndërsa një pjesë e pacientëve ka qenë simptomatologjia më e lehtë dhe faktikisht nuk janë kthyer për herë të dytë, kanë vazhduar me terapi, d.m.th. me tableta dhe produkte të tjera, ndërsa një pjesë e madhe e tyre, të cilët kanë kërkuar ndihmën është dashur terapia paranteralea për shkak të nivelit të madh të vjeljeve dhe jashtëqitjeve të cilët kanë pësuar disa prej tyre edhe dehidrim”, ka thënë Caka.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani, ka treguar se në mëngjes janë paraqitur edhe raste të reja.
“Prej mëngjesit deri tash janë diku 12 ose 13 raste. Shumica e tyre ka ardhur për të vazhduar terapinë prej mbrëmë, mirëpo ka disa raste që janë paraqitur për herë të parë sot në mëngjes. Sipas informatave që i mora nga personeli shëndetësor, gjendja e tyre shëndetësore është më e mirë sesa që ka qenë mbrëmë”, ka thënë Shabani.
Rasti i helmimit është duke u hetuar edhe nga Policia e Kosovës. Ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se lokali është mbyllur përkohësisht nga inspektorët deri në nxjerrje të rezultateve të analizave laboratorike.
“Hapi i parë është ndaluar puna dhe ka nisur kontrolli i detajuar i të gjitha hapësirave dhe mjeteve të kuzhinës. Gjendja higjienike-sanitare në momentin e inspektimit nuk ka qenë e mirë. Sidomos në hapësirën e përgatitjes se mishit për doner. Nuk ka ofruar dëshmi për pajisjen e stafit me libreza sanitare dhe nuk është kryer DDD. Janë marrë strishot nga mjetet e punës, tavolinat e shërbimit, pjata e servimit dhe duart e kuzhinierit. Janë marrë mostra të produkteve ushqime: doner, pleskavicë, sallatë majoneza dhe sosa”, ka bërë të ditur AUV.
KOHA ka provuar të kontaktojë me pronarin e lokalit “On Top Food”, prej ku dyshohet se janë helmuar nxënësit, porse ai nuk ka pranuar të japë sqarime.
Një pjesë e pacientëve ka marrë trajtim mjekësor edhe në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës e pastaj janë liruar për në shtëpi. Në Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Mitrovicës ka thënë se janë duke monitoruar rastin e helmimit.