Kryetari dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar procedurën e ndjekur për Projektbuxhetin e vitit 2026, i cili sot është paraparë të hidhet në votim për lexim të parë në Kuvend.
Ai ka thënë se nuk është serioze që deputetëve t’u jepen vetëm tri orë kohë për të rishikuar një dokument kaq të rëndësishëm si buxheti i shtetit. Sipas Abdixhikut, buxheti nuk e reflekton as qeverinë pasi katër ministri nuk janë fare të përfshira.
“Nuk është serioze që për tri orë ta rishikojmë tërë buxhetin. Ky buxhet nuk e reflekton as këtë qeveri. Katër apo pesë ministri nuk kanë buxhet për veti. S’po flasim për zotimet e pardjeshme (të Kurtit) që thoshte do të bëhet kjo e ajo, që s’janë fare në buxhet, por katër ministri këtu nuk e kanë buxhetin e parashikuar”, deklaroi Abdixhiku në sallën e Kuvendit.
Ai i bëri thirrje mazhorancës që ta trajtojnë me më shumë seriozitet dokumentin financiar më të rëndësishëm të vendit, duke kërkuar më shumë kohë për shqyrtim e që të jetë i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti.
“Bëhuni më serioz. Jepuni kohë deputetëve ta lexojnë tri-katër ditë. Përshtateni me kabinetin tuaj fillimisht. Përshtateni me komunat. Prishtina e ka miratuar buxhetin qe sa kohë, por ju nuk e keni në buxhet. Është mirë me qenë edhe zoti i shtëpisë këtu, kryeministri. Merreni me seriozitet. Katër ministri është dashur të dalin këtu se ky buxhet nuk është në rregull”, u shpreh ai.
Kundër këtij buxheti doli edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Shefi i Grupi Parlamentar, Arian Tahiri, kërkoi tri ditë kohë që të shikohet dokumenti voluminoz. Tahiri u shpreh se dy ditë më parë votuan për vazhdimin e ndarjeve buxhetore dhe kësisoj nuk kanë arsye për nxitim për votim të buxhetit.
Ngjashëm deklaroi edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i cili ka thënë se buxheti i vitit 2026 është i njëjtë me të 2025-tën.
“Duhet me kan Supermen për me lexu këtë buxhet. Çka pashë aty, ka shumë me u debatu. Ky nuk është buxhet i vitit 2026, por i vitit 2025. Vijat buxhetore janë të njëjta, veç në tekst ka pak ndryshime”, ka thënë Tahiri.
Buxheti për vitin 2026 është paraparë të jetë 4 miliardë euro.