Shtyhet seanca për buxhetin
Pas diskutimeve me shefat e grupeve parlamentare, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca për buxhetin është shtyrë për të hënën nga ora 10:00.
Votimi i buxhetit për vitin 2026 në lexim të parë hasi në kundërshtimet e partive opozitare, të cilat kërkuan më shumë kohë për ta lexuar dokumentin 700-faqësh.
Deputetët e opozitës kanë thënë se duhet ta lexojnë dokumentin për të pasur mundësi që të bëjnë propozime.
Haxhiu më pas i thirri për konsultim shefat e grupeve parlamentare dhe vendosi ta shtyjë seancën.
Buxheti është në vlerë 4 miliardë euro.
Ky buxhet përmban edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik. Pagën e 13-të, sipas Muratit, do ta marrin ata që kanë mbi 12 muaj në punë.
Për të hyrë në fuqi si ligj, buxheti duhet të miratohet edhe në lexim të dytë.
Hamza: Buxheti nuk i reflekton premtimet që i dha Kurti në ekspoze
Kryetari dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se buxheti i planifikuar për vitin 2026 nuk i reflekton premtime që i dha kryeministri Albin Kurti gjatë ekspozesë për formimin e qeverisë dy ditë më parë.
Hamza kërkoi afat tri ditë për të përgatitur propozime e diskutime para se ta votojnë buxhetin në lexim të parë.
“Po besoj është mëse e qartë që nuk është tema te bllokada edhe te rreziku që vendi të jetë pa buxhet. Gjithë deputetët e kanë votuar dje vendimin për vazhdimin e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars. Nuk kërkoi qëllimshëm askush që të humbet kohë, që vendi të vihet në vështirësi. Kërkuam afat të arsyeshëm, tri ditë. Ky buxhet nuk është në përputhje me ekspozenë e kryeministrit. Gjitha ato premtime nuk janë të reflektuara në këtë buxhet, janë dëshirore. Tërhiqeni dhe sillne pas tri dite, jeni të bindur që kemi me ia votu që të hyjë në procedurë të përshpejtuar”, ka thënë Hamza.
Murati: Ky është buxhet emergjence, do ta miratojmë një të rishikuar muajin e ardhshëm
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se buxheti i planifikuar për vitin 2026 është buxhet emergjence dhe ka kërkuar nga partitë opozitare ta mbështesin deri në miratimin e një buxheti të rishikuar, i cili ka thënë se do të ndodhë më së largu muajin e ardhshëm.
“Synimi ishte një buxhet emergjence, ta kemi një urë lidhëse derisa ta miratojmë një buxhet të rishikuar, më së largu muajin e ardhshëm. Zgjatja buxhetore për muajin mars siguron vetëm shpenzimet rrjedhëse. Çdo prokurim i ri i komunave është i bllokuar pa u miratua buxheti”, ka thënë Murati në Kuvend.
Abdixhiku: Si ta votojmë buxhetin për 2026 kur katër ministri nuk kanë asnjë euro të paraparë
Kryetari dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar procedurën e ndjekur për Projektbuxhetin e vitit 2026, i cili sot është paraparë të hidhet në votim për lexim të parë në Kuvend.
Ai ka thënë se nuk është serioze që deputetëve t’u jepen vetëm tri orë kohë për të rishikuar një dokument kaq të rëndësishëm si buxheti i shtetit. Sipas Abdixhikut, buxheti nuk e reflekton as qeverinë pasi katër ministri nuk janë fare të përfshira.
“Nuk është serioze që për tri orë ta rishikojmë tërë buxhetin. Ky buxhet nuk e reflekton as këtë qeveri. Katër apo pesë ministri nuk kanë buxhet për veti. S’po flasim për zotimet e pardjeshme (të Kurtit) që thoshte do të bëhet kjo e ajo, që s’janë fare në buxhet, por katër ministri këtu nuk e kanë buxhetin e parashikuar”, deklaroi Abdixhiku në sallën e Kuvendit.
Ai i bëri thirrje mazhorancës që ta trajtojnë me më shumë seriozitet dokumentin financiar më të rëndësishëm të vendit, duke kërkuar më shumë kohë për shqyrtim e që të jetë i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti.
“Bëhuni më serioz. Jepuni kohë deputetëve ta lexojnë tri-katër ditë. Përshtateni me kabinetin tuaj fillimisht. Përshtateni me komunat. Prishtina e ka miratuar buxhetin qe sa kohë, por ju nuk e keni në buxhet. Është mirë me qenë edhe zoti i shtëpisë këtu, kryeministri. Merreni me seriozitet. Katër ministri është dashur të dalin këtu se ky buxhet nuk është në rregull”, u shpreh ai.
Kundër këtij buxheti doli edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Shefi i Grupi Parlamentar, Arian Tahiri, kërkoi tri ditë kohë që të shikohet dokumenti voluminoz. Tahiri u shpreh se dy ditë më parë votuan për vazhdimin e ndarjeve buxhetore dhe kësisoj nuk kanë arsye për nxitim për votim të buxhetit.
Ngjashëm deklaroi edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i cili ka thënë se buxheti i vitit 2026 është i njëjtë me të 2025-tën.
“Duhet me kan Supermen për me lexu këtë buxhet. Çka pashë aty, ka shumë me u debatu. Ky nuk është buxhet i vitit 2026, por i vitit 2025. Vijat buxhetore janë të njëjta, veç në tekst ka pak ndryshime”, ka thënë Tahiri.
Buxheti për vitin 2026 është paraparë të jetë 4 miliardë euro.