Arbëri

Abdixhiku: Nuk e ndaloni LDK-në e Përparimin

Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, po tentohet të sabohet nëpërmjet çështjes së mbeturinave dhe Ndërmarrjes “Pastrimi”, duke u shprehur se “këta që sot na bëjnë politikë mbeturinash, ka kohë që kanë marrë në kontroll të plotë ndërmarrjen për pastrimin e tyre”.

Abdixhiku ka shkruar në Facebook se nëpërmjet këtij skenari “nuk e ndaloni LDK-në e Përparimin”. Kreu i LDK-së e ka quajtur fushatë këtë që po ndodh në kryeqytet, duke shtuar se “është përpjekje e thatë, e ulët, që ngjall vetëm keqardhje”.

“Me sabotazhë në njërën anë e me mendimtarë parapolitik gishtvënës në anën tjetër - krejt në sinkron. Një përpjekje e thatë, e ulët, që ngjall vetëm keqardhje. Keqardhje se sa larg shkon një betejë politike. Në vend të ideve konkrete, paskan zgjedhur sabotimin e shkaktimin e problemeve. Këta që sot na bëjnë politikë mbeturinash, ka kohë që kanë marrë në kontrollë të plotë ndërmarrjen për pastrimin e tyre. Po, qytetarë, janë bërë bashkë dhe e mbajnë Ndërmarrjen Pastrimi jashta menaxhimit Komunal. Si të tillë e vendosin edhe në bojkot; bërllog plot, por ndërmarrja refuzon të punojë. E sa për të mos mjaftuar e gjithë kjo, mblidhen sërish në asamble, sërish bllok, për të ndaluar - besoni ose jo - angazhimin e dikujt tjetër për pastrim. Skenari gati. Telefonat gati. Fotografitë po. Qyteti me mbeturina plot, fushata vazhdon: Komuna s’po punon!”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka shtuar se Prishtina do të pastrohet nga mbeturinat për një javë dhe “me të edhe logjika e sabotimit”.

“Nuk e ndaloni LDK-në e Përparimin kështu. Kjo është Prishtinë. Mund të provoni sabotazhin, por ju zgjatë veç pak ditë. Ne nuk ankohemi, ne gjejmë zgjidhje. Zgjidhja u bë. U bë menjëherë. Ka shumë mbështetës ky qytet, ka megjithatë punëtorë ky vend. Prishtina ecë. Kompani të tjera u angazhuan menjëherë; do të angazhohen dhe në vijim. Për një javë Prishtina do të pastrohet. Me të dhe logjika e sabotimit. Dhe Prishtina sheh. Ajo i njeh mirë këto praktika primitive të politikës së vjetër. Ato nuk shkojnë në Kryeqytet! Nuk shkojnë në Prishtinë. Këtu sabotazhi kriminal moti ka vdekë!”, u shpreh ai.