Përmes një postimi, Abdixhiku e ka cilësuar Deskun si një ndër profesionistët më të zotë të fushës së inovacionit dhe teknologjisë në vend.
“Sot, LDK-së i bashkohet një prej njerëzve më të zotë të teknologjisë dhe inovacionit në vend: Astrit Desku. Punëtor e profesionist që ka ndërtuar karrierën e tij vetëm me dije, përvojë dhe integritet”, ka shkruar ai.
Sipas Abdixhikut, Desku ka doktoratë në shkenca kompjuterike, studime ndërkombëtare dhe dhjetëra certifikime profesionale. Ai ka udhëhequr ekipe të mëdha, ka zhvilluar projekte të rëndësishme dhe aktualisht drejton zhvillimin e softuerit në një nga kompanitë më të fuqishme të sektorit të ICT-së në Kosovë. Po ashtu, është edhe ligjërues universitar.
“Astriti vjen në LDK si njeri i punës, jo i fjalëve. Si profesionist që di të ndërtojë, të udhëheqë dhe të zgjidhë probleme. Ai përfaqëson pikërisht atë që i duhet vendit: njerëz me dije, e me vizion për të ardhmen digjitale të Kosovës”, ka theksuar Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së vlerësoi se aderimi i Deskut është një forcim për listën e partisë dhe një mesazh i qartë se “LDK po bashkon njerëzit më të mirë të këtij vendi”.
“Mirë se vjen në ekip, Astrit Desku! Me shëndet, punë të mbarë e suksese në këtë rrugëtim”, përfundoi Abdixhiku.