Arbëri

Abdixhiku kërkon marrëveshje për president jopolitik

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka dhënë sinjale se do të mundësojë rizgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, siç ka bërë pesë vjet më parë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një përgjigje për KOHË-n, ka thënë se duhet të gjendet një figurë unifikuese e për zgjedhjen e saj, sipas tij, duhet konsensus politik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk do të përkrahë asnjë kandidat për president pa marrëveshje politike.

Abdixhiku, në një përgjigje për KOHË-n, të hënën, ka thënë se emrat e përveçëm për këtë post nuk duhet t’iu imponohen deputetëve dhe se për votimin e udhëheqësit të shtetit, konsensusi është i domosdoshëm.

“Kandidimet unilaterale të partive nuk sjellin konsensus. Pa marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare, imponimi i emrave të përveçëm nuk sjell asnjë rezultat tjetër përveç krizës institucionale. Zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet me logjikë force, por vetëm me logjikë konsensusi. Në këtë fazë, Kosova nuk ka luksin të hyjë në krizë për asnjë emër të veçantë. Vendit i duhen stabilitet institucional, funksionim normal i institucioneve dhe qetësi politike për t’u përballur me sfidat e brendshme dhe të jashtme”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku e deputetët e tjerë të LDK-së, duke qëndruar në sallë, patën ndihmuar zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, pesë vjet më parë.

Por, kryetari i LDK-së, të hënën nuk ka dhënë sinjale se do të veprojë njëjtë për të mundësuar kuorumin.

“Partitë parlamentare, përkatësisht 80 deputetë, duhet të gjejnë dhe të zgjedhin një figurë konsensuale që ruan integritetin kushtetues, që rikthen besimin mes të gjitha subjekteve parlamentare dhe që nuk shihet si palë politike, por si figurë unifikuese e shtetit.  Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti parlamentare, është e gatshme të marrë pjesë në çdo proces serioz ndërpartiak që synon ndërtimin e këtij konsensusi dhe zgjedhjen e një figure që përfaqëson shtetin”, ka thënë ai.

Analisti Afrim Kasolli nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e nominimit të presidentes aktuale Vjosa Osmani nga Lëvizja Vetëvendosje. E që të shmanget bllokada eventuale, Kasolli është shprehur se VV-ja duhet të marrë parasysh edhe preferencat e subjekteve opozitare.

“Subjektet opozitare, i vetmi përfitim që do ta kishin, po shprehem në mënyrë kushtimisht dhe metaforike që të përcaktoheshin për të qëndruar në sallë për Vjosa Osmanin ishte që t`i shmangnin zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, për shkak të një rezultati jo të favorshëm që kanë pasur në zgjedhjet e fundit. Mirëpo nëse i shohim gjykimet e tyre politike për rolin e saj, të gjitha e kanë bërë të qartë se Vjosa Osmani nuk është reflektim i unitet institucional, politik dhe shtetëror të vendit”, ka thënë Kasolli.

Në lidhje me qëndrimin e tyre për zgjedhjen e presidentit, pyetjeve të hënën nuk u janë përgjigjur kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Nëse në tri raunde të votimit, asnjëri nga kandidatët nuk merr votat e nevojshme, atëherë shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet reja, mundësi që nuk e ka përjashtuar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në dy raundet e para, për zgjedhje të presidentit nevojiten 80 vota për, e në raundin e tretë mjaftojnë 61 për, me kushtin që në sallë të jenë 80 deputetë.