Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku e konsideron gabim trashanik votën e dy partive, PDK-së e AAK-së për zgjedhjen e Dimal Bashës kryeparlamentar. Ai tha se LDK-ja “nuk mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione”.
Pas ndërprerjes së seancës, meqë deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, Abdixhiku u deklarua sa i përket zgjedhjes së kryeparlamentarit.
“Besoj se sot është shumë e qartë dallimi i vlerave që kemi ne me ta, edhe sa i përket respektimit të Kushtetutës, por edhe sa i përket përmbajtjes së njerëzve që ne besojmë se duhet t’i prijnë institucioneve të Kosovës dhe ky dallim kristal i qartë sot u kurorëzua me triumf të injorancës, me triumf të zërit përçarës, ndarës, por shpresoj që votuesit e partisë së parë sot ndihen të përfaqësuar në atë çfarë kanë marrë prej partisë së parë. E ndjej si gabim trashanik po ashtu votën e dy partive tjera të ish-opozitës, PDK-së dhe AAK-së që institucioneve të Kosovës t’i japin një emër të tillë. Gjithsesi ky është vullnet i 73 deputetëve shumicë, LDK-ja e respekton këtë vullnet është parti institucionale, por s’mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se institucionet do të futen në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicës serbe.
“Sa i përket pjesës tjetër tani është çështje konstitucionale, besoj që do të futemi në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, sa i përket vendeve të pakicave në Republikën e Kosovës, në radhë të parë të pakicës serbe, e cila duhet të ketë qartësi sa i përket të së drejtës për propozim në këtë drejtim. Dhe ajo çka është fatkeqe është që Kosova të mos mbetet me institucione peng të vullnetit të Beogradit. E mendoni nesër një situatë ku Lista Serbe nuk propozon fare emër, dhe më pas i gjithë institucioni i Kosovës mbetet i bllokuar. Pra, këtë praktikë nuk guxojmë ta lejojmë e besoj që këtu ka ndodhur një lëshim i madh politik nga kryetari i ri, por edhe partia e parë”, shtoi ai.
Kreu i LDK-së tha se nuk marrin pjesë në procese, siç tha ai, që nuk i konsiderojnë kushtetuese.
“Ne nuk marrim pjesë në procese që nuk i konsiderojmë si kushtetuese në radhë të parë dhe për këtë arsye mbajmë qëndrim parimor në këtë drejtim. Pra, ky është qëndrimi ynë dhe le të shohim se si do të votohet tutje nga deputetët shumicë të Kuvendit dhe të kenë qëndrime në vijim”, u shpreh ai.
Pas ndërprerjes së seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi u pyet nga gazetarët nëse është zhbllokuar Kuvendi, për çka shkurt tha “jo jo, nuk është kryer ende”./KSP
