Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që koeficienti në Ligjin e Pagave të bëhet 129 euro, 24 euro më shumë nga sa u miratua në Kuvend muaj më parë.
Në një tryezë të organizuar nga AAK-ja në objektin e Kuvendit të martën, Tahiri ka thënë se koeficienti 129 euro mund të bëhet veç me një amendament.
“Mendojmë që mënyra e vetme me i dhënë fund zhgënjimit në këto rrethana është koeficienti 129 euro. Ky koeficient mund të bëhet me një lëvizje të lehtë, me një amendament. Ne përmes një analize të thellë në interpelancë i kemi treguar ministrit si bëhet, ku merren të hyrat dhe pse nuk rrezikohet substanca e buxhetit”, ka thënë Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së ka paralajmëruar se shumë shpejt do ta mbajnë një takim më të gjerë me të gjitha sindikatat për të diskutuar rreth Ligjit të Pagave.
“AAK-ja do ta nisë hartimin e Ligjit të Pagave dhe detyrimisht Qeveria duhet ta miratojë”, ka thënë Tahiri.
Avokati i Popullit e ka dërguar Ligjin e Pagave në Gjykatën Kushtetuese pas shumë ankesave nga sindikatat dhe institucionet e ndryshme.
Qeveria e Kosovës e kishte miratuar në muajt e parë të vitit Ligjin e ri të Pagave me koeficient 105 euro. Opozita kishte kërkuar që koeficienti të ishte më i madh.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, e ka quajtur “të tmerrshme” qasjen e Qeverisë ndaj sindikatave.
Ka shtuar se Qeveria ministrat dhe kryeministri Kurti “shtyhen se kush ka inat më shumë”.
“Në opinion ishte krijuar një mendim negativ ndaj SBASHK-ut. Qeveria kishte qëllim që të gjente një fajtor që ligji të dështojë. Ligji i pagave ka krijuar një zhgënjim në arsim. Kanë nisur që arsimin ta lënë edhe punëtorët arsimorë. Më shumë se greva publike është e dëmshme greva e heshtur. Ne kemi shpresuar që së paku koeficienti të ishte 120. Është bërë edhe shkelje e ligjit për klasifikimin e viteve të shërbimit. Kjo ka ndodhur me qëllim që të krijohen pakënaqësi. Me këto ikje masive qe po priten nga arsimi Qeveria Kurti duhet t’ia bëjë një pyetje vetes kush do t’i mësojë nxënësit tanë. Po të vazhdojë ky trend do të kemi mungesë të kuadrove”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se nëse vazhdohet me këtë mënyrë, në shtator do të ketë sërish telashe.
Imer Zeqiri nga Sindikata e Policisë ka thënë se vërejtjet e kësaj sindikate janë dorëzuar tek Avokati i Popullit.
Ai ka thënë se kërkesat e tyre kanë qenë në diskutime paraprake porse shumica nuk janë marrë parasysh.
“Në Policinë e Kosovës i kemi 9008 pjesëtarë të policisë të uniformuar e staf civil. Te disa nga kategoritë e të punësuarve kemi zbritje page. Ka zbritje page që arrin deri në 600 euro. Ne kemi kërkuar që vlera e koeficientit të jetë një e dyta e pagës minimale të propozuar nga Qeveria. Janë hequr shtesat e rrezikshmërisë prej 7 niveleve që i kemi pasur. Është muaji i pestë që i marrim pagat pa rrezikshmëri. Zyrtari policor me autorizime policore është në punë 24/7 sepse ka obligim ligjor të veprojë dhe mosveprimi i tij është shkelje ligjore. Tash ka ardhur diskutimi a ka rrezikshmëri a jo puna e zyrtarit policor. Jemi policia më profesionoale, por policia me moshën më të vjetër. Është folur për penisionimin e parakohshëm, jo, duhet pensionim në moshën 55-vjeçare. Përpos ankesave që vijnë te ne si sindikatë kemi edhe ankesa individuale që ka sjellë një trend të dorëheqjeve vullnetare në Polici. Jemi në shkatërrim e sipër të institucionit të Policisë me këtë trajtim e dikush nuk po e çan kokën. Nga themelimi kemi 2000 dorëheqje vullnetare në Polici e vetëm për këtë vit 40”, ka thënë ai.
Ndërkaq kryetari i Sindikatës së shërbyesve civilë, Mursel Zymberi ka thënë se të shkëputet në tërësi dialogu social dhe të provohet shtetëzimi i sindikatave nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.
“Nuk ka mjete buxhetore për funksionimin e sindikatave. Të bëhet një ligj për zyrtarët e administratës dhe të thuhet na i dërgoni vërejtjet me shkrim dhe vërejtjet tona asnjëherë nuk janë inkorporuar. Një numër i madh i punëtorëve në administratë për shërbime civile kanë pagë 380 euro, pa e përmendur trajtimin që kanë”, ka thënë ai.