Arbëri

Siguria në punë: Prokuroria me aksion në Pejë, ndalen punimet në një vendpunishte

Aksion-Peje

Foto: KOHA

(Teksti i përditësuar) - Prokuroria Themelore në Pejë është duke zhvilluar një aksion në disa kompani të ndërtimtarisë në rajonin e Pejës nën dyshimet për rrezikim të sigurisë në vendin e punës. 

Në aksionin ku kanë qenë të përfshirë 9 prokurorë, janë ndaluar punimet në një vendpunishte. 

Aksioni është zhvilluar në disa lokacione në 4 komuna. 

Kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj ka thënë se nga 19 raste të rrezikimit të punëtorëve në vendin e punës, tri kanë përfunduar me fatalitet e në të tjerat punëtorët janë lënduar dhe kanë pësuar dëmtime të përhershme apo të përkohshme.

“Të gjitha këto kanë ardhur si atribut i mos-sigurisë së punëtorëve në vendin e punës dhe rrezikut të tyre në punë. Përgjegjës për këtë janë të gjithë personat të cilët bartin përgjegjësinë në kompanitë kontraktuese të subjekteve ku ata janë të angazhuar, të cilët kontraktojnë punëtorë dhe nuk sigurojnë asnjë mjet pune në kuadër të vendit të punës, ku ata kryejnë punën:, ka theksuar Vuçetaj.

Nga janari i 2025-s e deri në qershor, sipas Inspektoratit të Punës, janë regjistruar 268 aksidente në vendin e punës, prej së cilave 7 kanë përfunduar me fatalitet.

Vetëm më 21 korrik, tre punëtorë vdiqën si pasojë e lëndimeve të marra në vendpunishte, dy prej të cilëve ishin në rajonin e Gjakovës dhe njëri në atë të Istogut.

Sipas Inspektoratit të Punës, gjatë vitit 2022 janë regjistruar 15 aksidente me fatalitet në vendin e punës dhe 11 në vitin 2023. 

Ndërsa, numër më i ulët i këtyre raste ishte shënuar vitin që shkoi, me 7 vdekje.

Në bazë të të dhënave të Policisë, prej muajit janar e deri në mars të 2025, janë 37 raste të raportuara për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.