Rreth tre të katërtat e qytetarëve të Kosovës besojnë se personat me ndikim politik janë më pak të ndëshkueshëm nga ligji dhe institucionet e drejtësisë, tregon hulumtimi më i ri i Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).
Në tryezën e organizuar të enjten me temën “Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetar ndaj këtyre institucioneve”, GLPS prezantoi Edicionin e Nëntë të Indeksit të Performancës së Sundimit të Ligjit në Kosovë, që përfshin të dhëna nga perceptimet e qytetarëve dhe analizat e performancës së institucioneve të drejtësisë.
Sipas raportit, 75.6% e të anketuarve konsiderojnë se personat me ndikim politik kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji, ndërsa 35% mendojnë se gjykatat janë institucionet më të ndikuara politikisht.
Për më tepër, 47.9% e qytetarëve besojnë se zyrtarët e institucioneve të drejtësisë kërkojnë ose pranojnë ryshfet, me gjykatat (41.6%) dhe prokuroritë (37.6%) që perceptohen si më të prirura ndaj këtij fenomeni.
Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 5, Policia e Kosovës është cilësuar si institucioni më efektiv në luftën kundër korrupsionit, me notë 3.4, krahasuar me gjykatat (2.9) dhe prokuroritë (2.8).
Po ashtu, policia gëzon edhe nivelin më të lartë të kënaqësisë së qytetarëve, me notë 3.6, ndërsa gjykatat dhe prokuroria vlerësohen me 2.7.
Rreth 43.7% e qytetarëve besojnë se Policia punon në mënyrë të pavarur, por kjo përqindje bie ndjeshëm për gjykatat (21.2%) dhe prokuroritë (18.3%).
Vetëm 39.1% e të anketuarve mendojnë se vendimet gjyqësore merren mbi bazën e fakteve dhe ligjit, ndërsa 30.3% besojnë se gjyqtarët ndikohen nga korrupsioni dhe 29% nga zyrtarët e lartë ose personat me ndikim politik.
Për më tepër, 51% e qytetarëve vlerësojnë se sistemi i drejtësisë nuk ka ndryshuar ndjeshëm në pesë vjetët e fundit. Vetëm 2.8% mendojnë se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial marrin masa disiplinore ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve që shkelin rregullat.
Në lidhje me mosrealizimin e procesit të Vettingut dhe krijimin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, 37.4% e qytetarëve e fajësojnë mungesën e vullnetit politik, ndërsa 18.3% përmendin mungesën e konsensusit politik.
Në rastet e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, qytetarët i japin sistemit të drejtësisë një notë mesatare 3, duke e vlerësuar ndëshkimin si “mesatarisht të drejtë dhe parandalues”.
Qytetarët e vlerësojnë gjendjen e sigurisë në vend me notën 3.43, duke shprehur shqetësim për situatën në komunat veriore të Kosovës.
Sa i përket Dhomave të Specializuara, besimi mesatar është 2.56, që tregon një perceptim të kufizuar të paanshmërisë.
Në vitin 2024, buxheti i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ishte 35.8 milionë euro (1% e buxhetit të përgjithshëm), ndërsa Këshilli Prokurorial kishte 15.9 milionë euro (0.5%).
Efikasiteti i përfundimit të lëndëve ishte 95% për gjykatat dhe 99% për prokuroritë në raport me lëndët e reja, por shumë më i ulët kur krahasohet me të gjitha lëndët në punë (41% dhe 30%).
Një gjyqtar i Gjykatës Themelore ka pasur mesatarisht 1,366 lëndë për shqyrtim, ndërsa një prokuror i Prokurorisë Themelore ka trajtuar rreth 874 raste gjatë vitit 2024.