Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

71 për qind kalueshmëria në Testin e Maturës, rezultate më të larta në anglisht sesa në shqip e matematikë

Testi i Maturës

Foto: Arkiv

Saktësisht 13 mijë e 318 maturantë e kanë kaluar Testin e Maturës, apo 71 për qind e 18 mijë e 764 nxënësve që iu nënshtruan testit më 20 qershor.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, vetëm rreth 2 për qind e tyre kanë arritur pikët maksimale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në MASH, Fatmir Elezaj, njoftoi se maturantët që e kaluan testin kanë treguar njohuritë më të mira në gjuhën angleze.

“Në test kanë hyrë 18 mijë e 719 nxënës dhe janë publikuar rezultatet. Prej tyre e kanë kaluar 13 mijë 318 nxënës apo 71.15 për qind. Mesatarja e pikëve e shprehur në përqindje në gjuhë shqipe është 45.46 për qind, gjuhë angleze 65.1 për qind dhe matematikë 31.83 për qind. Domethënë, rezultatet më të dobëta i kemi në matematikë”, ka thënë ai.

Elezaj tregoi edhe se cilat lëndë zgjedhore ishin më të preferuara nga nxënësit.

“Lëndën që më së shumti e kanë përzgjedhur nxënësit është informatika me mbi 7 mijë e 700 nxënës dhe mesatarja e rezultateve është 56.92 për qind, kurse shumica e nxënësve të gjimnazit natyror e kanë zgjedhur lëndën e biologjisë dhe mesatarja në këtë lëndë është 61.4 për qind. Sociologjia mesataren e ka 66.5 për qind”, ka bërë të ditur ky zyrtar i Ministrisë.

Ai ka thënë se lëndët si kimia dhe fizika kanë qenë më pak të pëlqyera e po ashtu në to u shënuan rezultatet më të dobëta.

Njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, thekson se këto rezultate pasqyrojnë qartë problemet me të cilat vazhdon të përballet sistemi arsimor në Kosovë.

“Testi i maturës neve po na tregon se ku janë problemet në sistemin arsimor kosovar. Për shembull, në gjuhën shqipe performanca e ulët tregon problemet që na i ka treguar edhe testi PISA për çështjet e analfabetizmit funksional të kuptimit të shkrim-leximit. Po ashtu, po e shohim që kemi probleme te shkencat natyrore dhe matematika, ndërsa në të njëjtën kohë po e shihni se po shprehet në rezultatet e maturës se të rinjtë po e mësojnë anglishten nga jeta, rrjetet sociale”, ka thënë Rexhaj.

Mbi 6 mijë nxënës pritet t’i nënshtrohen për herë të dytë Testit të Maturës më 29 gusht. 

Në Provimin Shtetëror të Maturës, më 20 qershor nxënësit u testuan për njohuritë në tri lëndë obligative si dhe në një lëndë zgjedhore. 

KOHA ka raportuar se sanksionet e parapara me ndryshimet e fundit ligjore nuk arritën ta parandalojnë kopjimin në Testin e Maturës, të cilit mbi 19 mijë nxënës iu nënshtruan. Vetëm pak minuta pas nisjes së tij, përmbajtja e testit nisi të shpërndahej në rrjetet sociale. Pyetjet, e më pas përgjigjet, kanë qarkulluar në grupe të komunikimit online.