Arbëri

7 mësimdhënës e 7 zyrtarë policorë u dënuan për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare

Shumica e aktgjykimeve për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” gjatë vitit 2025 ishin për mësimdhënësit. Por sipas këtyre statistikave, numri i të dënuarve është i barabartë, sa mësues aq zyrtarë policorë për këtë vepër penale. Në Institutin për Avokimin e Politikave Korrektuese vlerësojnë se mësimdhënësit janë më lehtë të ndëshkueshëm sesa policët

Mësimdhënësit dhe zyrtarët policorë janë ata të cilët janë dënuar më shumë për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” në bazë të aktgjykimeve të publikuara në vitin 2025.

Nga 13 aktgjykimet në faqen e Këshillit Gjyqësor për vitin 2025, 9 ishin për mësimdhënës, një për drejtor shkolle, ndërsa tri aktgjykime ku përfshihen 7 zyrtarë policorë kanë të bëjnë me keqtrajtim. 
Prej tyre, në katër raste mësimdhënësit janë liruar ose janë dënuar me burgim me kusht.

“E shtyu me forcë dhe tentoi ta godiste përsëri (Gjilan) – u lirua pasi viktima tha se nuk u frikësua. Mësimdhënësi u lirua pasi nuk u mor në pyetje në prani të avokatit (Mitrovicë). Sulmoi fizikisht nxënësin (Dragash) – 10 muaj dënim me kusht. Goditi me të dy duart në kokë dhe trup nxënësin e klasës IX (Rahovec) – me kusht”, janë dënimet me kusht të shqiptuara për mësimdhënësit gjatë vitit 2025.

Keqtrajtimi gjatë detyrës zyrtare ndaj fëmijëve në bazë të Kodit Penal dënohet me gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.

Megjithatë, dënimi më i lartë i shqiptuar nga pesë rastet e dënuara me gjobë ishte 3.000 euro - ndaj mësimdhënësit të dhunshëm në Krushë të Prizrenit. 

“Goditi nxënësen 13 vjeç me shuplaka, e kapi për fyti (Prizren) – 3.000 euro. Goditi mbrapa koke dhe e kapi për veshi (Lipjan – drejtor shkolle) – 500 euro gjobë. Goditi me shuplaka dy nxënës (Malishevë) – 800 euro gjobë. Sulmoi nxënësin me shuplakë në fytyrë (Prizren) – 800 euro. E qëllon me shuplakë në fytyrë (Suharekë) – 600 euro gjobë. E shtyu dhe goditi me shuplakë në fytyrë (Suharekë) – 350 gjobë”, janë gjobat e shqiptuara nga gjykatat për mësimdhënësit gjatë vitit që shkoi.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, pavarësisht statistikave, nuk u beson shumë atyre.

“Nuk dua të besoj se punëtorët e arsimit qenkan të parët për ushtrim dhune. Mund të ketë raste të ndara, por SBASHK-u e dënon çdo dhunë të ushtruar, qoftë nga nxënësit, qoftë nga mësimdhënësit, qoftë nga prindërit... Nuk mund të besoj se jemi të parët në Kosovë për ushtrim dhune, sepse po të ishte kështu, këto do të ishin edhe raste të njohura për SBASHK-un”, ka thënë Jasharaj. 
Alban Muriqi, drejtor i Institutit për Avokimin e Politikave Korrektuese, vlerëson se mësimdhënësit janë më lehtë të ndëshkueshëm sesa policët. 

“Nëse ka më shumë aktgjykime ndaj mësimdhënësve, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se mësimdhënësit keqtrajtojnë në shkallë më të gjerë, por janë më lehtë të ndëshkueshëm – rastet e tyre janë më të thjeshta ose të lehta për t'u proceduar dhe nuk prekin struktura ose autoritete me ndikim brenda infrastrukturës shtetërore”, ka thënë Muriqi.

Sipas tij, institucionet duhet të punojnë shumë në mënyrë që të luftohet mosndëshkimi i keqtrajtimit.  

“Së pari, dhuna nga ana e PK-së në shume raste shihet si diçka që po normalizohet dhe ekziston një kulturë në rritje e pandëshkueshmerisë; mandej shkalla e ulët e denoncimit që kryesisht vjen si pasojë e mungesës së besimit dhe në një masë bashkëpunimit qytetar-Polici; mediat dhe opinioni i trajtojnë vetëm në raste më ekstreme. Prokuroria dhe gjykata më pak priren të hetojnë dhe gjykojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës për shkeljet e tyre, dhe së fundi kemi mungesë të sanksionimit që nxit kulturën e mosndëshkimit në radhët e PK-së”, ka deklaruar ai. 

E të dënuar me burgim gjatë 2025-tës janë tre policët nga Shtimja: Adnan Ramadani, Afrim Rexhepi dhe Mehmet Beqaj, të cilëve iu vulos dënimi me nga një vit burg edhe nga Gjykata Supreme.

Në tri aktgjykimet e tjera për policët, Apeli në një rast e ka konfirmuar dënimin e tre policëve me nga 450 euro, kurse një tjetri me 3 mijë euro.

Policia e as Inspektorati Policor nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS, në të cilat i është kërkuar koment lidhur me këtë çështje.

Gjatë vitit 2025, IPK-ja i ka çuar 110 kallëzime penale në prokurori e një pjesë e tyre ka qenë për keqtrajtim.