Lëvizja Vetëvendosje i ka vetëm edhe gjashtë ditë kohë për ta siguruar shumicën për votimin e Qeverisë me Glauk Konjufcën kryeministër, porse në partitë deri tash në opozitë janë shprehur të vendosura për të shkuar në zgjedhje të reja. Nga këto parti vetëm në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se janë kontaktuar nga LVV-ja në përpjekje për të koordinuar takime lidhur me votimin e Qeverisë
Edhe gjashtë ditë kohë kanë mbetur deri në përfundimin e afatit për votimin e Qeverisë në krye me Glauk Konjufcën.
Në dy partitë më të mëdha deri tash në opozitë – Partinë Demokratike (PDK) dhe Lidhjen Demokratike (LDK) – kanë thënë se nuk janë kontaktuar dhe as nuk duan bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), teksa zgjedhjet e reja i kanë parë si zgjidhje të vetme.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është e vetmja parti në të cilën kanë thënë se Vetëvendosje u ka kërkuar takime. Por kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, ka thënë se i ka refuzuar këto kërkesa, pasi që nuk ka marrë propozime konkrete për bashkëpunim apo për ndarje përgjegjësish në qeverinë e re. Ai ka theksuar se edhe ato do t’i refuzonte, pasi që zgjidhjet e parakohshme i konsideron si të vetmen rrugëdalje nga ngërçi politik.
“Kemi një vlerësim për figurën e z. Konjufca dhe është e vërtetë kjo, ju e dini kur ishte situata në Parlament. Por, krijimi i një qeverie është proces tjetër. Kushdo që i merr përgjegjësitë, e merr përsipër për ta siguruar votën. Ne nuk kemi pasur propozim apo kërkesë për çfarëdo bashkëpunimi. Kanë kërkuar komunikim. Z. Konjufca, ose nga zyra e tij, ka pasur kërkesa për takim ose konsulta me kolegë tanë edhe me mua në këtë rast. Por nuk e shohim të shkojmë në takime, si ajo shprehja, qitma votën si vëlla, por për Kosovën”, ka thënë Haradinaj.
Në Lidhjen Demokratike kanë thënë të enjten se nuk kanë pasur kurrfarë komunikimi politik me LVV-në për votimin e mandatarit të saj të dytë për kryeministër. Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, ka thënë se qëllimi i LVV-së nuk është që ta sigurojë shumicën parlamentare, por që të blejë kohë. E sipas tij, LDK-ja nuk ka votë për Qeverinë Konjufca.
“Nuk kemi asnjë informacion deri më tani që është kontaktuar ndonjëri prej anëtarëve të grupit tonë parlamentar për këtë rast. Nuk ka pasur asnjë qasje, as institucionale, as zyrtare partiake e as individuale. Çka po shohim ne këto ditë, është krejtësisht qasja e njëjtë sikurse me mandatarin e parë. Mandatari i parë nuk ka pasur as tendencë e as interesim të krijojë institucionet e vendit. Njëjtë po ndodh edhe me mandatarin e dytë”, ka thënë Zogaj.
Edhe në Nismën Socialdemokrate kanë thënë se janë të prerë për të shkuar në zgjedhje të reja.
“Nisma nuk ka votë për askënd. Tash situata është thelluar. Presidentja e ka zvarritur tej mase. E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”, kanë thënë në këtë parti në një përgjigje për KOHËN.
Kryetari në dorëheqje i PDK-së, Memli Krasniqi, një ditë më parë ka deklaruar se nuk ka pasur kontakte me LVV-në dhe as kërkesa prej saj për votimin e Qeverisë. Sipas tij, zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen pa humbur kohë.
Naim Jakaj, i cili është hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se gjasat që qeveria e re të formohet janë minimale. Ai nuk ka shprehur pritje se Konjufca do të sigurojë më shumë vota sesa që ka siguruar Albin Kurti, si i mandatuari i parë për kryeministër, më 26 tetor.
“Nuk ekziston një shumicë e re parlamentare që do t’i siguronte më shumë vota sesa i pati mandatari i parë, Albin Kurti. Kabineti që pritet ta prezantojë Konjufca është praktikisht i njëjtë me atë të Kurtit dhe pa ndryshime në përbërje ose në ndonjë aleancë të re politike. Nuk pritet as rezultat i ndryshëm. Konjufca ka sinjalizuar se nuk kërkon koalicione të reja, por vetëm mirëkuptim për votimin e qeverisë së tij”, ka thënë Jakaj.
Në Vetëvendosje nuk janë përgjigjur nëse kanë siguruar ndonjë votë më shumë sesa në përpjekjen e parë për formimin e Qeverisë. Nëse kjo parti nuk i siguron votat për përbërjen e re të ekzekutivit, Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat janë paralajmëruar se mund të mbahen në 10-ditëshin e fundit të dhjetorit.
AAK-ja diskuton për listën e re të deputetëve, garon pa koalicione
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se kryesia e partisë, e cila është mbledhur të enjten, është dakorduar që AAK-ja në zgjedhje të garojë e vetme dhe pa koalicione me parti të tjera politike.
Ai ka thënë se në mbledhje të kryesisë është diskutuar se si do të duket përfaqësimi politik i AAK-së në listën e deputetëve për zgjedhjet nacionale, në rast se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dështon që ta formojë qeverinë më së largu deri më 19 nëntor.
“Sa i përket listës, jemi dakorduar për përfaqësimin e përgjithshëm edhe gjeografik, edhe në bazë të numrit të popullsisë. Për shkak se AAK-ja ka disa specifika. Kemi disa komuna, ku të gjithë duam të garojmë por kemi rënë dakord që ta shpërndajmë listën në gjithë vendin. T’i përfaqësojmë të gjithë, edhe Mitrovicën, edhe Vushtrrinë, Podujevën, Gjilanin, Ferizajn, Kaçanikun e të gjitha, me një kuotë përafërsisht të barabartë edhe pse vota jonë nuk është e tillë”, ka thënë Haradinaj.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit AAK-ja pati garuar në koalicion me Nismën Socialdemokrate, duke i siguruar bashkërisht 8 deputetë, 5 prej të cilëve janë të Aleancës. Ky bashkëpunim politik u prish në Kuvend, kur Nisma ka kërkuar pavarësi në marrjen e vendimeve brenda parlamentit.