Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është duke u trajtuar në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), por me parametra vitalë stabil pasi dyshohet se ka qenë viktimë e keqtrajtimit dhe kequshqyerjes nga prindërit – të cilët janë arrestuar.
Sipas njoftimit të Klinikës së Pediatrisë, fëmija është pranuar fillimisht në Emergjencën Qendrore me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime gangrenoze. Në momentin e pranimit, ai ishte në gjendje të rënduar, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Pas ndërhyrjeve të para dhe konsultave me specialistë, mjekët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent në repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimi i tij. Aktualisht, fëmija ndodhet në gjendje të rëndë, por me parametra vitalë stabil”, thuhet në njoftim.
Klinika ka thënë se e ka raportuar menjëherë rastin edhe tek autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe shërbimet sociale, për shkak të dyshimeve për keqtrajtim.
“Fëmija është pa praninë e prindërve apo kujdestarit ligjor dhe ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë. Trajtimi po zhvillohet nga një ekip multidisiplinar që përfshin pediatër, kirurgë vaskularë, kirurgë plastikë dhe ortopedë. Gjithashtu, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, në kujdesin e tij janë përfshirë edhe psikologë dhe psikiatër të fëmijëve”, vijon njoftimi.
Fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike, ndërsa trajtimi intensiv i plagëve po vazhdon.
Gjatë ditës së sotme, sipas njoftimit, fëmija është vizituar edhe nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, “ndërsa në koordinim me ministrin për Punë dhe Familja, Andin Hoti dhe Qendrën për Punë Sociale në Lipjan, pritet të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm për mbrojtjen ligjore dhe sociale të fëmijës”.
E, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka reaguar më pas dhe e ka dënuar dhunën ndaj fëmijëve. Në njoftim Ministria ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për hetimin dhe trajtimin e këtij rasti.
Ministria ka deklaruar se Inspektorati do të fillojë hetimin institucional të rastit që të verifikohet nëse janë zbatuar obligimet ligjore dhe procedurat për mbrojtjes e fëmijëve dhe parandalimin e dhunës.
“Gjithashtu, ka kërkuar që Inspektorati për Shërbimet Sociale dhe Familjare të fillojë me urgjencë hetimin institucional lidhur me trajtimin e këtij rasti nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan, në mënyrë që të verifikohet nëse janë zbatuar të gjitha obligimet ligjore dhe procedurat për mbrojtjen e fëmijëve, dhe mundësive të parandalimit”, thuhet në njoftim.