Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

5 nga 6 të akuzuarit për barrikadat ishin të punësuar në strukturat që udhëhiqeshin nga krerët e LS-së

barrikadat në veri

Shumica e të akuzuarve për vepra penale kundër rendit kushtetues në rastin e barrikadave ishin të punësuar në institucione paralele që kontrolloheshin nga Lista Serbe e Serbia. Në aktakuzë thuhet se të punësuarit në këto struktura ishin të detyruar ta mbanin ndërresën në barrikada nën kërcënimin e dhunës dhe të humbjes së vendit të punës

Pesë nga gjashtë personat që Prokuroria Speciale i akuzon për vepra penale kundër rendit kushtetues në rastin lidhur me barrikadat në veri të vendit më 2022 i kishin eprorë në vende pune udhëheqësit e Listës Serbe. 

Në aktakuzën për këtë rast thuhet se dy nga të akuzuarit - Dushan Maksimoviq dhe Nemanja Jolloviq - ishin të punësuar në hotelin e Milan Radoiçiqit “Rajska Banja”, dy të tjerë - Sërgjan Vuçiniq Nenad Orloviq - në ndërmarrjen e pastrimit “Standard” që udhëhiqej nga kryetari i atëhershëm i LS-së, Goran Rakiq dhe i pesti Dushan Drobac në Fondin Pensional të Serbisë, degën e të cilit e drejton edhe sot Igor Simiqi. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në bazë të aktakuzës, prania e personave të armatosur dhe të uniformuar në barrikada tregon se këto lokacione ishin pozicione sulmuese luftarake e jo vetëm pengesa rrugore që bëhen në një protestë të zakonshme. 

Sipas organit të akuzës punonjësit e institucioneve paralele të Serbisë janë detyruar nën kërcënim të marrin pjesë në barrikada përmes orareve të rrepta me lista konkrete.

“Strukturat ilegale serbe, të fushave të administratës, shëndetësisë, arsimit, kulturës etj., disa nga ta janë detyruar që të dalin në rrugë dhe të qëndrojnë në barrikada sipas programit të paracaktuar nga strukturat kriminale të udhëhequra nga organizata terroriste e ashtuquajtur “Mbrojtja Civile”. Në rast të mos bindjes ndaj urdhrave të dhëna, të njëjtit janë paralajmëruar me humbje të vendit të punës dhe benificioneve të tjera financiare që pranojnë nga Serbia, në disa raste më ekstreme të mosbindjes ndaj tyre, u janë djegur veturat ose janë përdorur metoda tjera të sulmeve të ndryshme ku disa qytetarë serbë janë kidnapuar, rrahur dhe torturuar nga strukturat ilegale dhe ato kriminale”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Në aktakuzë thuhet po ashtu se i akuzuari tjetër, Millosh Radosavleviq, dërgonte oraret në një grup në “Viber”, ku tregonte se kush deri kur duhet të qëndrojë në barrikada. 

Prokuroria Speciale pretendon po ashtu se të akuzuarit edhe kanë komunikuar mes vete në grupin e emërtuar “Barrikadat tetor 2022”. 

Për një pjesë të komunikimeve sipas prokurorisë, i akuzuari Dushan Maksimoviq, nuk ka pasur shpjegim dhe i ka thënë prokurorisë se nuk i mban mend bisedat lidhur me armët e uniformat. 

“Sa i përket SMS-ve të këtij grupi si: ‘Edhe për ne është nga ora 3 për me qenë atje, por drejtori po thotë me ardh në ora 2 e 30 për shkak se deri të mblidhemi bëhet ora 3’ , ‘Sot të gjithë do të pranojmë municionin por gojën e mbyllur, mendoj për ne të katërtit’, ‘Ka arritur uniforma’, ‘Urime’, ‘Mos i ka dërguar Jovo’, ‘Vetëm edhe revolja’, dhe shumë komunikime të tjera në mes të këtij grupi të cilat i janë ofruar në shikim nga ana e prokurorit dhe komunikimet nga faqja 2 deri në faqen 33 të nxjerra nga ekspertiza telefonike, deklaron (i akuzuari v.j.) se këto SMS janë të vërteta dhe nuk ka shpjegim”, thuhet në aktakuzë.

Maksimoviq tashmë është në burg, pasi është dënuar në shkallë të parë më 30 vjet për sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023.

E të akuzuarit për barrikadat ngarkohen me veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim sulmin ndaj rendit Kushtetues të Republikës se Kosovës dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. 

Barrikadat janë vendosur më 10 dhjetor 2022, ndërsa ajo e fundit është hequr më 5 janar.

Atëkohë Lista Serbe e Serbia e kundërshtuan vendimin e Qeverisë që të mos i lejojë targat serbe me emrat e qyteteve të Kosovës dhe kërkuan lirimin e Dejan Pantiqit, që më vonë është dënuar për sulmin terrorist në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.