Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

44 inspektorë mbikëqyrin 1,035 shkolla e afro 23 mijë mësimdhënës

Shkolla Ismail Qemali Prishtine Nxenes Greva Klaset

Foto: Driton Paçarada

Në gjithë Kosovën funksionojnë mbi një mijë shkolla e janë afro 23 mijë mësimdhënës. Mbikëqyrja e sistemit arsimor, në nivel vendi, bëhet nga 44 inspektorë të arsimit. Këtë numër, njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, e kualifikon të ulët teksa thonë se bazuar në nevojat, kërkohet të jenë mbi 100 inspektorë

30 shtatori i 2024-s është hera e fundit, kur Inspektorati i Arsimit i ka publikuar listat e kontrollit nga vlerësimi i mësimdhënësve, drejtorëve e shkollave në Kosovë.

Që atëherë, nuk janë publikuar raporte të tilla. Ky inspektorat aktualisht i ka në përbërje 44 inspektorë, në përgjegjësi të të cilëve bie mbikëqyrja e më shumë se 1 mijë shkollave dhe afro 23 mijë mësimdhënësve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, thotë se ky numër i inspektorëve është i vogël për mbikëqyrjen e sistemit arsimor, teksa shton që, bazuar në nevoja, duhen të jenë mbi 100.

“Inspektorët tani nuk i kanë të gjitha funksionet që i kanë pasur më herët, vlerësimin e mësimdhënësve, vlerësimin e drejtorëve, vlerësimin  e shkollave. Tash janë kryesisht të fokusuar në vlerësimin e performancës se shkollës dhe kanë mandej funksionin edhe të drejtorit, edhe të mësimdhënësit por të pjesshme jo të plota. Janë pak për krejt Kosovën, duhej të ishin së paku 100 e diçka dhe mendoj që 100 e diçka inspektorë do të mund ta kryenin funksionin e vet, plotësisht për shkollën, pjesërisht për drejtorët dhe mësimdhënësit”, ka thënë Rexhaj.

Në Ministrinë e Arsimit thanë për KOHËN se deri në vitin e kaluar kanë qenë të angazhuar 25 inspektorë, teksa rreth tre muaj më parë janë rekrutuar 22 të tjerë e tre janë pensionuar. Në këtë ministri thanë se është paraparë forcimi i kapaciteteve të Inspektoratit Arsimor.

“Fushëveprimtaria e Inspektoratit të Arsimit është mjaft e gjerë, pasi përfshin mbikëqyrjen e institucioneve parashkollore, shkollave fillore dhe të mesme publike dhe private, kolegjeve private, si dhe arsimit të lartë publik (me kompetenca më të kufizuara), raporti ndërmjet numrit të inspektorëve dhe numrit të institucioneve arsimore nuk është ende në nivelet e duhura dhe të synuara. Për këtë qëllim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paraparë masa për forcimin e kapaciteteve të Inspektorati i Arsimit, përfshirë rritjen e numrit të inspektorëve dhe përmirësimin e mekanizmave të mbikëqyrjes. Gjatë këtij viti është planifikuar që, përmes procedurave të rekrutimit, të pranohen edhe 20 inspektorë të rinj”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

E njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj shpreh nevojën që për rritjen e cilësisë në arsim, krahas shtimit të numrit të inspektorëve, duhet të themelohet edhe Enti Pedagogjik, që, sipas tij, do të ofronte mbështetje profesionale për shkolla.

“Në Kosovë e kemi funksionin e zbatimit të ligjshmërisë edhe një pjesë pak në vlerësimin e cilësisë por mungon përkrahja... kontrollin e kem por mungon përkrahja për shkollat, drejtorët, mësimdhënësit që ka qenë e zbatuar më herët nga ana e zyrtarëve të Entit pedagogjik”, ka thënë Rexhaj.

Bazuar në statistikat e Ministrisë së Arsimit, për vitin shkollor 2024–2025, në gjithë Kosovën janë 1 mijë e 35 shkolla, 778 prej të cilave kualifikohen si amë e 257 si paralele të ndara. Në kuadër të sistemit arsimor funksionojnë 65 çerdhe, 842 shkolla fillore, 122 të mesme dhe 6 shkolla speciale.

Në këto institucione arsimore janë të angazhuar gjithsej 22 mijë e 620 mësimdhënës.