Arbëri

25 vjet me KTV-në, sfidat dhe rrugëtimi i Mimoza Koprani-Muçajt

Mimoza

Në 25-vjetorin e themelimit të KTV-së dhe në emisionin “60 minuta”, për sfidat dhe sukseset e mediumit, foli ajo që mbushi 25 vjet të karrierës në KTV, Mimoza Koprani-Muçaj.

Që nga raportimet e para Koprani-Muçaj, thotë se nuk kishin dilema për mënyrën sesi duhej raportuar me profesionalizëm sepse mësimet i kishin marrë në gazetën "Koha Ditore". Sipas saj, ishte e vështirë për një vend që sapo kishte dalë nga lufta dhe po e kalonte një tranzicion të vështirë.

Pavarësisht se kanë kaluar 25 vjet, ajo kujton një nga momentet që thotë se nuk do ta harrojë kurrë.

“Më kujtohet kur kam shkuar për të përcjellë zhvarrimin e një grupi shqiptarësh që ishin zhvarrosur nga një varrezë masive, këtu diku në territorin e Kosovës sepse kjo ka ndodhur menjëherë pas luftës. Ajo ka qenë dita më shokuese për mua edhe sot e atë ditë e kam ndjenjën e asaj aromës që ka mbizotuar aty, nga ato rroba të zhvarrosura. Ai momenti shumë i rëndë, shumë dramatik për familjen që mundoheshin përmes rrobave t’i identifikonin sepse ishin ekpsozuar vetëm rrobat, ato që kishin arritur të nxirren nga varrezat dhe si numra dhe përmes rrobave tejet të dëmtuara, të baltosura të shkatërruara secili mundohej të gjente të afërmin e tij. Ai ka qenë një nga momentet më të rënda që unë e kujtoj nga ato fillet e para të gazetarisë.”, tha Koprani-Muçaj.

Pavarësisht ndryshimit dhe zhvillimit të hovshëm të teknologjisë, Koprani-Muçaj thotë se të vërtetën qytetarët prapë e dijnë se e gjejnë në KTV.

“Për ne është më së vështiri, për ne si medium seiroz dhe kredibil kemi luftuar me vite e vite për ta rujtuar kredibilitetin, pavarësinë nga ndikimi, për ta ruajtur çdo gjë që është më të vërtetë karakteristikë e një medie serioze. Në media sociale është telashe sepse fatkeqësisht lajmet senzacionale, lajmet e ndërtuara keq me qëllim, shtypi rozë marrin vëmendje më të madhe. Ne nuk luajmë me titull, nuk bëjmë lojë fjalësh me titull, nuk krijojmë karrem në titull për t’i joshur shikuesit që të lexojnë diçka brenda që nuk ekziston fare sepse ne sot jemi dëshmitarë të plot titujve të tillë. Ka një sfidë shumë të madhe për mediat serioze që janë të plasuara në rrjetet sociale për shkak të siç thashë, algoritmet nxjerrin në pah ata që bëjnë gjëra të tilla e janë më shpejtë të qasshëm për përdoruesit e rrjeteve sociale por për fat të mirë, njerëzit në fund të ditës kur duan të informohen për diçka ose kanë dilema a ka ndodhur apo si ka ndodhur, futen në rrjetet tona sociale për të qenë të sigurtë se ajo është e vërteta.”, deklaroi Koprani-Muçaj.

I gjithë ky rrugëtim, Koprani-Muçaj thotë se ja ka vlejtur.

Koprani-Muçaj aktualisht është autore dhe e udhëheqë emisionin “Konfront”.