Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës ka nisur një analizë të detajuar të çmimeve të 21 artikujve të shportës bazë të konsumatorit, pas ankesave të shumta të qytetarëve për rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve esenciale.
Inspektori hetues në këtë institucion, Egzon Berisha, të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, ka thënë se ankesat kanë të bëjnë kryesisht me produktet bazë të konsumit ditor, çka ka shtyrë Autoritetin të ndërmarrë monitorim të drejtpërdrejtë të tregut dhe analiza më të thelluara në rrjetet e supermarketeve.
Sipas tij, në fokus janë produkte si vajrat ushqimore, buka, mielli, detergjentet dhe artikuj të tjerë që përbëjnë shportën bazë.
“Në Autoritetin e Konkurrencës kemi pranuar ankesa të ndryshme nga qytetarët për rritjen e çmimeve dhe shqetësime në lidhje me rritjen e çmimeve të produkteve, kryesisht produkte të shportës bazike të konsumatorit. Në raport me ankesa të shumta që na kanë ardhur, kemi filluar një monitorim të tregut, gjithashtu jemi edhe në një analizë më të thelluar të shportës bazike të konsumatorit për 21 artikuj të shportës bazë. Jemi tek rrjeti i supermarketeve, ku përfshijmë vajrat ushqimore, bukën, miellin, Detergjentët dhe elemente të tjera të shportës bazë. Jemi në një fazë të monitorimit e të përpunimit të të dhënave e analizës së tyre”, është shprehur ai.
Berisha ka theksuar se nga të dhënat paraprake shporta bazë e konsumatorit ka shënuar rritje prej 5.5% në periudhën nëntor 2024 – nëntor 2025.
Ai ka sqaruar se, bazuar në analizat e deritanishme, asnjë rrjet tregtar në Kosovë nuk rezulton të ketë pozitë dominuese në treg, megjithatë, Berisha ka pranuar se edhe disa produkte vendore kanë pësuar rritje çmimesh, të cilat lidhen kryesisht me rritjen e kostove bazë të prodhimit.
“Është e vërtetë që ka edhe produkte që prodhohen në tregun kosovar e që kanë shënuar rritje, kjo ndoshta është si pasojë e rritjes së kostos bazë të tyre. Shumica e rritjeve të çmimeve në produktet bazë kanë shënuar rritje shkaku i rritjes së fuqisë punëtore, disa kanë pësuar rritje edhe shkaku i rritjes së çmimit të energjisë elektrike”, është shprehur tutje ai.