Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

1 Qershori shënohet me aktivitete nga sporti e deri te kampingu e kërkim-shpëtimi

Karate

Nga promovimi i sportit e deri te trajnimet për reagim në situata emergjente, institucionet dhe organizatat në Kosovë e kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve me aktivitete të ndryshme. Përveç nismave që synojnë aktivizimin dhe edukimin e fëmijëve, organizatat për mbrojtjen e tyre kanë ngritur shqetësime edhe për sfidat me të cilat vazhdojnë të përballen të miturit në vend

Agjenci shtetërore, komuna dhe organizata të ndryshme kanë zhvilluar të hënën aktivitete me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Në sheshet e Prishtinës, Komiteti Olimpik i Kosovës ka hapur Javën Olimpike, e cila këtë vit ka në fokus aktivizimin e fëmijëve në sport.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka thënë se në këtë nismë janë përfshirë 26 komuna të vendit, me synimin për të nxitur një shoqëri më aktive dhe më të shëndetshme.

“Qëllimi ynë është që sa më shumë t’i aktivizojmë fëmijët, të merren me sport, të largohen nga televizioni, nga telefonat dhe të jenë më të shëndetshëm”, ka thënë ai.

E, në një aktivitet të organizuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, rreth 100 nxënës të klasave të teta dhe të nënta nga Fushë-Kosova, Mitrovica dhe Shtimja kanë marrë pjesë në një trajnim për kërkim-shpëtim dhe mbijetesë në natyrë, në Qeçevë të Zubin Potokut.

Në hapje të kampingut, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se aktiviteti do t’u ndihmojë nxënësve të fitojnë njohuri dhe aftësi praktike të dobishme për situata të ndryshme emergjente.

“Në kampingun e parë, të organizuar nga institucionet tona në bashkëpunim me shoqatat dhe partnerët e tyre, do të fitoni njohuri dhe aftësi të vlefshme praktike, siç janë reagimi ndaj zjarreve duke përdorur pajisjet përkatëse, e deri te dhënia e ndihmës së parë. Të gjitha këto njohuri do t’ju shërbejnë jo vetëm për mbrojtjen e natyrës dhe jetës së njerëzve, por edhe për zhvillimin tuaj personal”, ka thënë Kurti.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka pritur një grup të fëmijëve në Presidencë e Kuvend, ku ka theksuar se ata, pavarësisht përparimeve të deritanishme, ende përballen me sfida të shumta dhe kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga institucionet dhe shoqëria.

“Të drejtat e fëmijëve janë një nga fushat, ku dallimi ndërmjet asaj që shkruhet dhe asaj që zbatohet shihet shumë shpejt. Fëmijët nuk kërkojnë gjëra të pamundura. Ata kërkojnë të ndihen të sigurt. Të mos përbuzen. Të mos përjashtohen. Të mos stigmatizohen për varfërinë e familjes. Të mos mbeten pa ndihmë kur kanë vështirësi në të folur, në sjellje, në mësimnxënie apo në shëndet mendor. Të mos u thuhet “hajt se kalon” për diçka që kërkon kujdes profesional”, ka thënë Haxhiu.

Edhe Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka organizuar një aktivitet ndërgjegjësues për tërheqjen e vëmendjes ndaj rritjes së rasteve të të miturve që bien në konflikt me ligjin.

“Shërbimet për fuqizimin e fëmijëve dhe parandalimin për të rënë në konflikt me ligjin pothuajse janë joekzistente për moshën nën 14 vjeç. Sfidues paraqitet edhe zbatimi efikas i masave të diversitetit, viteve të fundit ka rënie të shqiptimit të masave të diversitet për të miturit në konflikt me ligjin dhe një nga arsyet është se të miturit bëjnë vepra të ndryshme para moshës 14-vjeçare dhe nuk është e përshtatshme qe të shqiptohen masat e diversitetit”, ka thënë Donejta Sadiku, drejtoreshë në KOMF.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve shënohet çdo 1 Qershor. Ajo u shpall si ditë ndërkombëtare në Konferencën Botërore për Mirëqenien e Fëmijëve, në vitin 1925 në Gjenevë të Zvicrës.