Pas një fushate intensive për ditë me radhë, dita e diel e 12 tetori ishte dita kur kandidatët për kryetar të Prishtinës u përballën me njëri-tjetrin te kutitë e votimeve.
Si rezultat, Lidhja Demokratike e Kosovës doli partia e parë në Prishtinë, duke lënë pas Lëvizjen Vetëvendosje me një përqindje mjaft të ulët.
Votat që i mori Rama në lagjen “Kodra e Trimave” e lagjet përreth, ishin ato që determinuan fitoren e tij.
Në gjimnazin “Ahmet Gashi”, “Pjetër Bogdani”, “Zenel Hajdini”, “Emin Duraku”, “Asim Vokshi”, “Shkolla e Gjelbër”, janë disa shkolla në të cilat Rama kryesoi me një diferencë të dukshme ndaj VV-së dhe PDK-së.
Megjithatë ai nuk mori vota mjaftueshëm për fitore në raund të parë. Ai do të shkojë në balotazh me Hajrullah Çekun e Vetëvendosjes.
Në anën tjetër, kandidatin e VV-së, Harulla Çeku, në balotazh e dërguan lagjet urbane si “Dardania”, “Bregu i Diellit”, “Lakrishta” e “Muhaxherët”.
Në shkollën “Ismail Qemali”, Vetëvendosje doli e para, përderisa i dyti u rendit Uran Ismaili, duke lënë Ramën të renditur në vendin e tretë.
Shkolla “Hasan Prishtina”, Dardania”, “Iliria”, “Elena Gjika”, “Gjergj Fishta”, “Gjin Gazulli” janë disa nga vendvotimet ku Çeku doli i pari.
Kandidati i PDK-së, Uran Ismaili la prapa Ramën dhe Çekun në shkollën “Pavarësia” të lagjes “Mati I”, lagje kjo e cila është ndër më të ngarkuarat në kryeqytet.
Pas tyre vjen Bekë Berisha nga AAK-ja dhe Besa Shahini nga Partia Socialdemokrate.