Një gjë është e sigurt. Atmosfera në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të jetë e zjarrtë të enjten mbrëma. Do të jenë tifozët, “Intelektualët” e Dritës dhe “Ballistët” e Shkëndijës që do të kujdesen për atmosferë festive e të veçantë.
Në fushë do të ketë betejë sportive. Për të dy skuadrat pikët janë shumë të rëndësishme.
Te Drita besojnë se festa në fushë do t’u takojë atyre.
Ndeshja Drita – Shkëndija zhvillohet të enjten nga ora 21:00. I takon xhiros së katërt të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.
“Gjithë ekipi është gati. Shpresoj që nesër të japim maksimumin duke e vlerësuar Shkëndijën jashtë fushës. Neve na pret ndeshja më e vështirë në këtë fazë të ‘Conference Leagues’”, ka thënë trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani.
Trajneri shkupjan e ka cilësuar përballjen ndaj tetovarëve si më të vështirën.
Ai ka numëruar shumë arsye.
“E para për kualitetin që ka Shkëndija, për lojën që ka bërë Shkëndija në arenën ndërkombëtare dhe për shkak që vjen nga një shtet ku unë jetoj. Është një ndeshje mjaftë e veçantë dhe ndoshta i jep më shumë presion pasi jemi dy skuadra shqiptare dhe ballafaqohemi një ditë para festës së flamurit. Kemi presion. Jemi para tifozëve tanë. Është ndeshja më e vështirë që e kemi pasur në arenën ndërkombëtare”, është shprehur tutje Ramadani.
Drita e Shkëndija aktualisht janë në pozita që dërgojnë në fazën nokaut të Ligës së Konferencës. Drita është e 13-ta me pesë pikë. Ka një fitore e dy barazime. Në debutim nuk ka ende humbje në fazën e ligës.
Shkëndija është e 21-ta me katër pikë. Ka një fitore, një barazim e një humbje.
“Gjithmonë mundohemi ta shohim fuqinë e kundërshtarit. Nuk mendoj se fuqia e Shkëndijës bazohet vetëm te Besart Ibraimi. Është Liridon Latifi, Endrit Krasniqi, Tamba, me të vërtetë edhe mbrojtësit i kanë mjaft cilësorë. Mesfusha me Ramadanin, me Alhassan. Ka një përbërje shumë të mirë në aspektin kolektiv sepse sa u përket individëve, do ta kisha dalluar gjithmonë ‘Haxhijën’, sepse është me të vërtetë një futbollist që ka treguar cilësi edhe pse pak në moshë, por si duket nuk e penalizon mosha që ka. Por ne si ekip jemi munduar ta analizojmë komplet skuadrën e Shkëndijës. Jo vetëm individin, pasi jam i bindur që një ekip si Shkëndija nuk varet nga një futbollist por nga kolektivi”.
Ramadani në të kaluarën është përballur me Shkëndijën si lojtar, por edhe si trajner i Shkupit. Ai ka thënë se rivaliteti ndërmjet Shkëndijës dhe Shkupit gjithmonë është bartur në tribuna. Por pranon se çdo fitore e arritur ka pasur peshën e vet.
Edhe të enjten ai pret fitore ndaj Shkëndijës.
“Festive në fushë nuk mendoj se do të jetë. Në fushë do të jetë luftë sportive. Të dyja skuadrat e duan fitoren. I kam parë përgatitjet që i kanë bërë dy tifogrupet. Mesazh më i mirë se nesër që është 28 Nëntori nuk ka. Jam i bindur që ata janë përgatitur më shumë se secili tifogrup që t’u japin një mesazh Evropës dhe botës se edhe dy tifozëri të ekipeve ballkanike mund të organizojnë, të jenë të koordinuara, duke dhënë spektakël ku do të marrin mësim shumë tifogrupe të tjera dhe shtete tjera. Atmosferë do të ketë në tribuna, do të ketë festë në tribunë. Ne duhet të japim maksimumin. Për ne festë nuk ka. Pas ndeshjes do të luajmë në Superligë”, ka shtuar Ramadani.
Në konferencë ka qenë edhe kapiteni i Dritës, Rron Broja. Ai ka folur me respekt për Shkëndijën. Por ka theksuar se Drita ka cilësi për ta fituar ndeshjen.
“E njohim mjaft mirë Shkëndijën. Shumicën e lojtarëve i njohim. Është një skuadër shumë cilësore. Ka individë shumë të mirë. Besoj se do t’i respektojmë maksimalisht. Mirëpo, besojmë shumë se edhe ne e kemi kualitetin, cilësinë që të arrijmë te fitorja, t’i marrim tri pikë dhe të jetë një natë historike për ne”, ka thënë Broja.
Ai insiston se përballja ndaj Shkëndijës nuk do të jetë vendimtare për rrugëtimin në Evropë.
“Nuk do ta cilësoja si vendimtare, sepse do t’i kemi edhe dy ndeshje pas Shkëndijës. Do të jenë ndeshje të vështira, mirëpo jo të pamundura. Me një rezultat pozitiv nesër në mbrëmje do të bënim një histori të madhe, sepse do të jemi me një këmbë në plejof të Ligës së Konferencës. Shpresoj shumë që do të arrijmë të marrim tri pikë nesër mbrëma”, ka thënë Broja.
Te Drita, por edhe Shkëndija pranojnë se rezultati do të ketë rëndësi, por ndeshja e së enjtes përfundimisht do të jetë “festë shqiptare”.