Futboll

Schmid, trajneri më “jetëgjatë” në futbollin evropian

Frank Schmid

Trajneri më jetëgjatë në ligat e mëdha të futbollit evropian ka shkruar tjetër kapitull në karrierën e jashtëzakonshme. Dhe ai tani dëshiron vetëm të pushojë.

Një gol i minutës së fundit, të hënën, ua dha Heidenheimit dhe trajnerit Frank Schmid një fitore që ua garantoi mbetjen në Bundesligën gjermane edhe për një edicion. Schmid është mbi 17 vjet në krye të Heidenheimit.

Ishte ndeshja e 709-të e Schmidit në krye të klubit që e dërgoi nga liga rajonale e Gjermanisë jugperëndimore në kategorinë e parë. Ai ka mposhtur skuadra si Bayerni, ndërsa u përball me skuadra si Chelsea në Ligën e Konferencës. 

“Ia kam kushtuar gjithë energjinë ekipit dhe ishte shumë e rëndësishme. Por tani jam i shpenzuar”, ka thënë Schmidt për Sky, pasi goli i Leo Scienzas në kohën shtesë vulosi fitoren 4:3 pas dy ndeshjeve në barazh.

“Askush nuk ka nevojë të më telefonojë këto ditë. Nuk do të jem i qasshëm, sepse po largohem. Më duhet energji për t’u përgatitur për edicionin e ri”, ka shtuar Schmidt.

Qyteti i Heidenheimit ka 50 mijë banorë. Skuadra e Schmidtit zakonisht është autsajdere ndaj klubeve me më shumë histori, trofe e tifozë.

E kundërta ishte të hënën. Kundërshtar i Heidenheimit ishte Elversbergu i Bundesliga 2. Është tjetër skuadër që nga ligat regjionale u ngrit në ligat nacionale. Elversbergu është nga një qytet me vetëm 13 mijë banorë.
Tifozët gjermanë e quajtën sfidën “El Dorfico”. E lidhën me klasiken mes Barcelonës dhe Real Madridit, ndërsa e shtuan fjalën “dorf”, që në gjermanisht do të thotë fshat.

Heidenheimi e përfundoi kampionatin në Bundesligë në vendin e 16-të dhe rrjedhimisht luajti në barazh me të tretin e Bundesliga 2. Edicioni 2023/2024 ishte shumë më i suksesshëm për skuadrën e Schmidit, që është në krye nga viti 2007. Përfundoi në vendin e tetë në Bundesligë dhe luajti në Ligën e Konferencës. 

Bota e futbollit ishte shumë më ndryshe në shtatorin e vitit 2007, kur Schmidt mori drejtimin e Heidenheimit. Debutoi në një ndeshje të kupës regjionale kundër ekipit rezervë të Olympia Laupheim.

David Beckham sapo kishte debutuar te Los Angeles Galaxy pas një transferimi të bujshëm nga Madridi. Manchester Unitedi i Alex Fergusonit ishte ende ekipi që duhej mposhtur në Premier League. Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi ishin lojtarë të rinj të suksesshëm tek Unitedi e Barcelona, por ende asnjëri nuk e kishte fituar Topin e Artë.

Periudha e Schmidtit te Heidenheimi bën që nëntë vjetët e Pep Guardiolas te Manchester City apo 13 vjetët e Diego Simeones tek Atletico Madridi të duken pak. Por ai është ende larg legjendave si Ferguxon dhe Arsene Wenger. Fergusoni qëndroi 26 vjet te Manchester Unitedi, ndërsa Wenger ishte 22 vjet tek Arsenali.

51-vjeçari si lojtar kishte karrierë solide. E mbylli karrierën te Heidenheimi në vitin 2007, kur nisi kapitullin si trajner. Dhe vazhdon të jetë ende në krye. Do të jetë në Bundesligë edhe edicionin e ardhshëm.