(AP) – Një kampanjë tërheqëse kualifikuese prej 16 ndeshjeve dhe pengesat e luftës u shembën në një çast për Oday Dabbagh dhe ekipin e tij palestinez.
Dhe ajo që bënë të gjithë së bashku do të mbahet mend gjatë.
Lojtarët u larguan nga fusha me lot në sy, menjëherë pas ndeshjes në stadiumin “King Abdullah II” në Aman të Jordanisë, të enjten e kaluar. Shpresa e tyre për paraqitjen e parë në Kupën e Botës u zhduk nga një penallti diskutabile e dhënë në fund të kohës shtesë. Tifozët shikuan të shtangur.
“Është shumë e vështirë”, tha Dabbagah, sulmuesi dhe ylli i ekipit. Ai foli për “Associated Press”.
“Ishte shumë e vështirë për ne të kalonim në fazën tjetër. U përgatitëm mirë, patëm atmosferë pozitive dhe kishim tifozët me vete. Dhamë gjithçka, por çdo gjë u zhduk për një çast”.
Palestinës i duhej të fitonte tri ndeshjet e fundit në Grupin B për të arritur në plejof për dy biletat e fundit për Botëror nga Azia. Përfaqësuesja e renditur në vendin e 101-të në botë mposhti Irakun në Basra në muajin mars dhe Kuvajtin në Kuvajt City më 5 qershor. Pesë ditë më pas ishte duke udhëhequr 1:0 ndaj Omanit në Jordani deri në minutën e 97-të.
Palestinezët asnjëherë nuk kanë qenë në pozitë më të mirë për kualifikim në Kupë të Botës. Më pas Omanit iu dha një penallti që u konkretizua për 1:1, në frymën e fundit të ndeshjes.
Federata e Futbollit e Palestinës bëri një ankesë zyrtare në FIFA lidhur me penalltinë. Por kjo nuk e ndryshoi faktin se udhëtimi i gjatë kishte përfunduar.
“Ne u përpoqëm t’u jepnim buzëqeshje palestinezëve mes dhimbjes së tyre të madhe”, ka thënë trajneri Ihab Abujazar. “Lojtarët heroikë janë krenaria dhe lavdia jonë, simbol i çdo gjëje që është e bukur në popullin palestinez”.
Larg shtëpisë
Mund të ishte ndryshe nëse përfaqësuesja e Palestinës, e pranuar në FIFA në vitin 1998, do të ishte në gjendje të luante ndeshje në shtëpi, para tifozëve të saj në Gazë apo në Bregun Perëndimor, në raundin e tretë kualifikues. Por kjo nuk ishte e mundur për shkak të luftës. Shumë nga ndeshjet si vendase të ekipit janë zhvilluar në kryeqytetin e afërt jordanez, Aman, që është shtëpi e një komuniteti shumë të madh palestinezësh.
“Është më e lehtë të luash në shtëpinë tënde”, tha Dabbagh, i cili e ndihmoi Aberdeenin të fitonte Kupën e Skocisë muajin e kaluar.
“Por rrethanat atje janë shumë të vështira, kështu që ne zgjedhim të luajmë në Aman pasi është afër Palestinës. Njerëzit janë të njëjtë dhe kemi shumë tifozë atje”.
Nuk ka pasur futboll në territoret palestineze që nga fillimi i luftës në vitin 2023. Qindra sportistë janë në mesin e 55 mijë palestinezëve të vrarë, ndërsa objektet sportive janë shkatërruar.
“Çdo gjë që ndodh na trishton të gjithëve”, tha Dabbagh. “Si lojtarë, ne përpiqemi të përqendrohemi te futbolli gjatë ndeshjeve. Por e përdorim atë që po ndodh si motivim për t’i sjellë lumturi popullit të Palestinës”.
Të gjithë lojtarët e Palestinës, përjashto dy, kanë kontrata me klube të huaja, të regjionit apo nga Evropa. Është një ndryshim i situatës në krahasim me periudhën e fillimit të luftës, kur një numër lojtarësh nuk ishin në gjendje të largoheshin nga Bregu Perëndimor ose Gaza për t’u paraqitur në ndeshje me përfaqësuese.
Gjatë vitit të kaluar përfaqësuesja palestineze është mbledhur për kampe stërvitore në Algjeri, Katar dhe Arabi Saudite, për t’u përgatitur për kualifikimet e Kupës së Botës.
Me fitore në atë ndeshje, Palestina do të kualifikohej për plejof. Barazimi i minutës së fundit bëri që Palestina të përfundojë një pikë prapa Omanit dhe mbeti jashtë plejofit.
Çka vjen tutje?
Tani fokusi i palestinezëve do të jetë në Kupën e Azisë 2027, që do të zhvillohet në Arabinë Saudite. Përfaqësuesja e Palestinës tashmë është kualifikuar.
Dabbagh është gati të tregojë se skuadra është e vendosur të mbetet forcë në futbollin aziatik dhe të vazhdojë të jetë ambasadore për miliona njerëz.
“Ne do të vazhdojmë të përdorim futbollin si mesazh për t’i treguar botës se ka gjëra të tjera në Palestinë”, tha ai. “Ne do të vazhdojmë. Ëndrra nuk ka mbaruar, thjesht është shtyrë”.