Mainzi ka vendosur t’i ofrojë kontratë profesionale sulmuesit të ekipit të parë, Fabio Moreno Fell.
25-vjeçari nuk është vërejtur nga askush deri para fillimit të edicionit. Kjo ndodhi pasi Moreno Fell u bashkua me ekipin e Bundesligës në verën e kaluar nga skuadra e nivelit të gjashtë gjerman, TSV Gau-Odenheim.
Moreno Fell, i lindur në Spanjë, ka luajtur futboll te të rinjtë para se të siguronte një provë te rezervat e Ingolstadtit gjatë edicionit 2019/2020. Pasi prova nuk ishte e suksesshme ai vazhdoi karrierën në klube të ndryshme të nivelit të pestë dhe nivelit të gjashtë gjerman.
Më 1 korrik iu bashkua ekipit të dytë të Mainzit, që garon në kategorinë e katërt gjermane. Në 16 paraqitje në Regionalliga për Mainzin II, i shënoi nëntë gola dhe i bëri tri asistime. Për herë të parë në ndeshje të Bundesligës u grumbullua më 1 nëntor. U grumbullua sërish më 30 nëntor, ndërsa më 5 dhjetor startoi në humbjen 1:0 nga Borussia Monchengladbachu. Ishte sërish në stol në ndeshjen ndaj Bayernit në fundjavë, që përfundoi 2:2.
“Futbolli ndonjëherë ofron tregime të veçanta”, ka thënë drejtori teknik i Mainzit, Meikel Schonweitz, me rastin e nënshkrimit të kontratës profesionale me sulmuesin.