Drejtori i përfaqësueses së Zvicrës në futboll, Pierluigi Tami, ka folur të hënën në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes me Kosovën.
Zvicra e Kosova përballen të premten në Basel, në nismë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Tami është pyetur për vendimin e Leon Avdullahut për të luajtur për Kosovën e jo për Zvicrën. Ka thënë se kalimi i lojtarëve në përfaqësuese të tjera nuk është diçka e re.
“Kjo nuk është temë e re. Do të shohim të bëjmë më shumë në të ardhmen. Gjithnjë mund të bëjmë më mirë. Mbi 70 për qind e lojtarëve tanë kanë shtetësi të dyfishtë, kështu që jo të gjithë ata mund të luajnë për ekipin nacional senior. Menaxhmenti ynë vazhdimisht viziton lojtarët në klubet e tyre. Por ka kritere për lojtarët tanë. Lojtari duhet të jetë mjaftueshëm i mirë për ekipin tonë. Kriteri i dytë janë vlerat. Lojtari duhet të dëshirojë të luajë për Zvicrën. I treti është durimi. Ndoshta ka shumë konkurrencë për atë pozitë për momentin dhe të duhet më shumë durim. Nëse ndonjëri nga këto kritere nuk plotësohet, atëherë ndoshta më së miri është të ndahen rrugët. Ne respektojmë vendimin e tij”, ka thënë Tami.
Avdullahu ka luajtur për të rinjtë e Zvicrës dhe pritej të ftohej te Zvicra A. Por vendosi për Kosovën dhe u bashkua të hënën me përfaqësuesen. Të premten pritet të debutojë pikërisht ndaj Zvicrës.
Tami ka lënë të kuptohet se më të mirët ende vendosin për Zvicrën.
“Përgjatë 20 vjetëve të fundit kemi humbur lojtarë te përfaqësuese të tjera. Por sa prej tyre do të shtonin vlera në përfaqësuesen tonë seniore? Një apo dy. Ndoshta tre. Por, nuk kemi humbur shumë lojtarë në përfaqësuese të tjera”, ka thënë drejtori i përfaqësueses zvicerane.
Ai ka thënë se secili rast është i ndryshëm. Ka theksuar se ndonjëherë familja ka shumë ndikim.
“Avdullahu e fitoi kampionatin me Baselin dhe bëri lëvizje të mirë. Gjithsesi kemi shumë opsione. Por është e qartë se duhet të analizojmë”, ka thënë Tami lidhur me largimin e lojtarëve për në përfaqësuese të tjera.
Ai është pyetur nëse Zvicra shpreson që këto lëvizje të bllokohen nga FIFA. Ka thënë se Franca e Gjermania do të ishin vendet e para të interesuara për të ndryshuar rregullat. Por shanset janë shumë të vogla, ka thënë Tami, për shkak se shumë vende nuk dëshirojnë ndryshimin e rregullave.
Drejtori i përfaqësueses helvetike foli edhe për mbrojtësin Albian Hajdari. Ka thënë se nuk është i brengosur për të. Hajdari ka debutuar për Zvicrën, ndërsa së fundi e ka lënë të hapur derën për Kosovën. Por edhe dera e Zvicrës është e hapur për Hajdarin.
“Nuk jam i brengosur. Dera është e hapur. Ai tashmë ka luajtur miqësore me ne dhe ishte parashikuar të luante në ndeshje garuese. Ai ende mund të lëvizë sipas rregullave, por nuk jam i brengosur. Murat Yakin ka bërë shumë dhe do të fillojmë të planifikojmë për të menjëherë pas kësaj lëvizjeje”, ka thënë Tami në konferencën për shtyp.
Drejtuesi i përfaqësueses zvicerane ka thënë se lojtarët duhet të pyesin veten nëse duan të luajnë rregullisht në Kampionate Evropiane e Botërore, pra për Zvicrën, apo të luajnë vetëm në kualifikime.
Në grup me Zvicrën e Kosovën janë Sllovenia e Suedia.
“Synimi ynë është të kualifikohemi direkt në Kupën e Botës. E shoh një grup të fortë dhe nuk shoh favoritë. Secili ekip duhet të luftojë. Jam i lumtur që kampanja fillon për ne tani”, ka thënë Tami.
Te Zvicra nuk janë të brengosur për Hajdarin
Drejtori i përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami ka thënë se nuk është i brengosur për Albian Hajdarin.
Ai ka debutuar për Zvicrën, ndërsa së fundi e ka lënë të hapur derën për Kosovën. Por edhe dera e Zvicrës është e hapur për Hajdarin.
“Nuk jam i brengosur. Dera është e hapur. Ai tashmë ka luajtur miqësore me ne dhe ishte parashikuar të luante në ndeshje garuese. Ai ende mund të lëvizë sipas rregullave, por nuk jam i brengosur. Murat Yakin ka bërë shumë dhe do të fillojmë të planifikojmë për të menjëherë pas kësaj lëvizjeje”, ka thënë Tami në konferencë për shtyp të hënën.