Sot nga ora 18:00 në Washington do të tërhiqet shorti për Kupën e Botës 2026.
Të pranishëm në ceremoninë e tërheqjes së shortit për Botërorin që vitin tjetër organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA, do të jenë edhe delegacionet e Kosovës dhe Shqipërisë, ndonëse asnjëra prej tyre nuk e ka siguruar kalimin direkt.
Kosova dhe Shqipëria do të duhet t’i fitojnë dy ndeshjet e plejofit për arritjen historike.
Kosova më 26 mars luan në Bratislavë ndaj Sllovakisë, derisa Shqipëria në udhëtim po ashtu, luan ndaj Polonisë.
Nëse Kosova e kalon Sllovakinë, më 31 mars e pret fituesin e ndeshjes Turqia – Rumania. Ndërkohë, Shqipëria, nëse kalon përfaqësuesen polake, përballet në finale me Ukrainën apo Suedinë.
Në Washington do të caktohen përfaqësueset nëpër grupe, dhe do të mësohet edhe në cilin grup do të përfundonin Kosova e Shqipëria, në rast të kualifikimit.
Gazeta spanjolle “AS” e ka pyetur Inteligjencën Artificiale për grupet e turneut të Botërorit që organizohet me 48 përfaqësuese.
Kosova, nga Rruga C e plejofit të UEFA-s për Botërorin 2026, do të ishte në Grupin D me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ekuadorin dhe Arabinë Saudite.
Ndërkohë, Shqipëria nga Rruga B e plejofit, do të ishte në Grupin A, bashkë me Meksikën, Kroacinë dhe Egjiptin.