Moment frike ka pasur të enjten në mbrëmje në elitën e futbollit kolumbian gjatë ndeshjes Independiente Santa Fe - Atletico Nacional.
Mbrojtësi 29-vjeçar, Andres Felipe Roman, ka rënë në tokë pa ndjenja, kur kishin kaluar vetëm 12 minuta lojë.
Shumë prej tifozëve kujtuan atë që i kishte ndodhur Christian Eriksenit më 12 qershor të vitit 2021 me Danimarkën në Kampionatin Evropian, kur pësoi arrest kardiak dhe kolapsoi në fushë.
Roman ishte pranë bashkëlojtarit Manuel Zapata. Ai fillimisht kapi kokën, më pas preku hundën dhe ra në tokë pasi bëri disa hapa prapa.
Atij iu dha ndihma mjekësore dhe më pas është ngritur në këmbë. Madje ka njoftuar se është mirë me shëndet.
Atletico Nacional e fitoi ndeshjen 2:1.