Fillimi i Kylian Mbappes te Real Madridi u përcoll me shumë dyshime, nëse ai do të mund të ambientohej. Por, në vitin 2025 superylli francez i heshti gjithë kritikët.
Njëherësh, ishte tregues se Real Madridi nuk gaboi kur e transferoi në verën e vitit 2024 nga Paris Saint-Germaini, si futbollist të lirë.
Mbappe i ka shënuar 59 gola për Real Madridin në vitin kalendarik dhe e barazoi rekordin e Cristiano Ronaldos, të vendosur në vitin 2013.
Në tri ndeshjet e para të La Ligas në edicionin 2024/25, Mbappe luajti por nuk shënoi.
Madje, deri në xhiron e 20-të nuk arriti t’i shënonte dy gola brenda një ndeshjeje.
Ai kishte fillim të ngadaltë edhe në Champions.
Në pesë ndeshjet e para e realizoi vetëm një gol, pavarësisht se luante rregullisht. Por forma e tij pati rritje të madhe në vazhdim. Ai i shënoi nëntë gola në pesë ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar.
Shtatë gola i realizoi në Ligën e Kampionëve, ndërsa 30 gola i pati të shënuar në pjesën e parë të vitit 2025.
Në edicionin aktual ka 29 gola në 24 ndeshje, 18 në ligë dhe nëntë në Ligën e Kampionëve. Dy gola tjerë i ka në Kupën e Spanjës.