Pas humbjes 8:0 nga Vikinguri në Islandë, Malisheva është ndarë me trajnerin Bekim Isufi. Kjo u bë e ditur të hënën. Sipas njoftimit, Malisheva e Isufi kanë ndërprerë bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme.
Klubi malishevas është ndarë edhe me tre anëtarë të shtabit teknik të Isufit.
“Klubi ynë shpreh mirënjohje të thellë për punën dhe përkushtimin e kryetrajnerit Isufi, i cili gjatë një viti me FC Malisheva kontribuoi ndjeshëm në sukseset e klubit, duke siguruar pjesëmarrjen në garat e UEFA Conference League, dhe duke shkruar historinë për herë të dytë radhazi si klub”, shkruan në komunikatën e Malishevës.
Malisheva përfundoi e treta në Superligë dhe u përball me Vikingurin islandez në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në Prishtinë ndeshja përfundoi 1:0 në të mirë të Vikingurit, ndërsa në Reykjavik, Malisheva u mposht thellë, 8:0.
Isufi më herët ka drejtuar skuadra si Drita, Hajvalia, Vllaznia e Pozheranit, Ferizaj e Ballkani.