Malisheva ka regjistruar njërën prej fitoreve më të rëndësishme në histori. Të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë fitoi 2:0 përballë skuadrës së njohur skoceze, Hibernian. Ishte ndeshja e parë e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndeshja kthyese luhet pas një jave.
Kreshnik Uka ishte lojtari i ndeshjes. Ish-sulmuesi i Drenicës dhe golashënuesi më i mirë i elitës së futbollit kosovar me 19 gola në sezonin e kaluar, shënoi e asistoi në këtë ballafaqim.
Uka realizoi fillimisht në minutën e 21-të. Ai pranoi top të mirë në zonë nga Arlind Veliu dhe realizoi nga afërsia. Uka e kreu punën edhe në golin e dytë kur asistoi për Valmir Nafiun, që shënoi në minutën e 90-të për 2:0.
Për Malishevën është edicioni i tretë rresht në kualifikimet e kupave evropiane.
Hiberniani është katër herë kampion i elitës skoceze dhe tri herë fitues i Kupës së Skocisë. Titullin e fundit e fitoi në edicionin 1951/52.
Malisheva, e themeluar në vitin 2016, në raundin e parë kualifikues e eliminoi Vllazninë e Shkodrës.
Skuadra që avancon, në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës përballet me fituesin ndërmjet Bravos sllovene dhe Shkëndijës së Tetovës.
Malisheva e jashtëzakonshme, shënon tjetër gol
Malisheva është shfaqur e jashtëzakonshme në ndeshjen ndaj Hibernianit dhe e ka realizuar edhe golin e dytë.
I jashtëzakonshëm me veprim individual ishte Kreshnik Uka. Uka që e shënoi golin për 1:0, asistoi në golin e dytë të minutës së 90-të, kur realizoi Valmir Nafiu.
Mbyllet pjesa e parë, Malisheva në epërsi ndaj Hibernianit
Malisheva e ka mbyllur pjesën e parë ndaj Hibernianit me epërsi prej një goli.
Për 1:0 ka shënuar Kreshnik Uka në minutën e 21-të, me asistim të Arlind Veliut.
BBC-ja kishte parashikuar rrezikun nga Uka
BBC Sport Scotland është duke e përcjellë nga afër ndeshjen mes Malishevës dhe Hibernianit, nëpërmjet gazetarit Thomas Duncan.
Duncan kishte raportuar se rreziku mund të vijë pikërisht nga Kreshnik Uka. Uka deri tani e ka realizuar golin e vetëm ndaj Hibernianit dhe Malisheva është duke fituar 1:0.
“Nga kush mund të vijë rreziku” ishte titulli i BBC Sport Scotland, ndërsa më pas janë dhënë shpjegime për skuadrën e Malishevës.
“Futbollisti i krahut, Kreshnik Uka, i cili e përcolli trajnerin Thomas Brdariq nga Drenica në këtë verë, shënoi dy herë në fitoren ndaj Vllaznisë dhe është rrezik për Hibs, pasi i shënoi 19 gola në sezonin e kaluar në elitën e futbollit kosovar. Portieri Adnan Kanuriq, i cili luajti në kategorinë e dytë të futbollit të Austrisë me Austria Klagenfurtin në sezonin e kaluar, është njëri prej gjashtë transferimeve të verës. Ai vjen nga të rinjtë e Stoke Cityt dhe ishte edhe te Nottingham Foresti. Megjithatë, 25-vjeçari në ekipin e parë në Angli luajti vetëm si i huazuar te Grantham Toën dhe Oxford City dhe ishte në bankën rezervë te Malisheva ndaj Vllaznisë. Ish-sulmuesi i Kolnit, Bayer Leverkusenit dhe Wolfsburgut, Brdariq, e mori udhëheqjen e ekipit muajin e kaluar pasi e mbajti Drenicën në elitë dhe përfundoi në vendin e gjashtë”, ka shkruar BBC Sport Scotland.
Malisheva befason Hibernianin
Kreshnik Uka e ka kaluar Malishevën në epërsi ndaj Hibernianit, skuadrës së madhe skoceze.
Malisheva realizoi për 1:0 në minutën e 21-të. Uka shënoi me asistim të Arlind Veliut, pas një asistimi shumë mirë të ndërtuar.
Kjo është ndeshja e parë e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndërsa po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
The Scottish Sun: Një katastrofë në Kosovë
Mediumi skocez “The Scottish Sun”, e ka cilësuar “një katastrofë” humbjen e Hibernianit nga Malisheva në kuadër të ndeshjes së parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Hiberniani skocez humbi nga Malisheva me rezultat 2:0 të enjten pasdite në Prishtinë.
“Një katastrofë në Kosovë. Lojtarët e David Gray u fishkëllyen pasi humbën ndaj ekipit të renditur i 351-ti në Evropë”, shkruan “The Scottish Sun”.
Edhe mediumi tjetër i fuqishëm “Sky Sports Scotland” ka qenë kritik në shkrimin e tij për humbjen e Hibernianit.
“Gara e Hibernian për një vend në Ligën e Konferencës është në rrezik pas një humbjeje poshtëruese 2:0 nga skuadra kosovare Malisheva”, ka shkruar “Sky Sports Sclotland”.
Të tjera mediume skoceze po ashtu kanë shkruar për humbjen e Hibernianit në Prishtinë.
Trajneri Brdariq thotë se Malisheva fitoi me meritë
Trajneri i Malishevës, Thomas Brdariq, e ka cilësuar të merituar fitoren e ekipit të tij ndaj Hibernianit skocez. Ai ka thënë se për ndeshjet e kthimit, Malishevës i duhet një strategji e duhur.
“Ishte një fitore e merituar, një fitore ku e kishim edhe fatin me vete. Jam krenar me lojtaët e mi. Na duhet tani një strategji dhe shpresojmë për avancim tutje. Në Skoci do të ketë shumë tifozë dhe do të jetë ndeshje tjetër. Por synimi jonë është kualifikimi. Duhet të shkojmë me një strategji për të arritur kualifikimin historik”, ka thënë Brdariq.
Kapiteni i Malishevës: Fitorja më e madhe për mua
Kapiteni i Malishevës, Dren Kryeziu, e ka vlerësuar fitoren ndaj Hibernianit “më të madhen” në karrierë deri më tani.
“Kemi fituar përvojën e duhur, pasi është viti i tretë që paraqitemi në Evropë dhe jemi pjekur më shumë si ekip. Shihet që po luajmë më mirë nga ndeshja në ndeshje. Kemi analizuar kundërshtarin dhe ia kemi dalë mirë t’i sulmojmë në pikat e dobëta. Kjo është fitorja më e madhe për mua. Është xhiroja e dytë në Ligën e Konferencës dhe për mua si kapiten është kënaqësi e madhe. Jam optimist se mund të kalojmë në raundin e tretë”, ka thënë Kryeziu.
Uka: Fitorja 2:0 nuk na garanton asgjë
Futbollisti i Malishevës, Kreshnik Uka, është i lumtur me fitoren e arritur ndaj Hibernianit. Por ai ka thënë se fitorja me rezultat 2:0, nuk u garanton asgjë.
Ai fton bashkëlojtarët të tregohen të zgjuar në ndeshjen e kthimit.
“E kemi ditur se kemi përballë një kundërshtar të fortë, një ekip që luan në një ligë të fortë siç është liga e Skocisë, ku luhet futboll agresiv. Jemi përgatitur për këtë ndeshje. Por nuk na garanton asgjë kjo fitore 2:0. Është fitore historike për ne dhe synimi tani është të kualifikohemi në raundin e tretë. Por duhet të luajmë me kujdes në ndeshjen e kthimit. Për mua është një fillim i ri, një ekip i ri dhe nga ndeshja në ndeshje po e kapi ritmin më shumë”, ka thënë Uka.