Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Drita shënoi dy gola edhe në ndeshjen kthyese të plejofit të fazës nokaut të Ligës së Konferencës ndaj Celjes. Por golat e shënuar të enjten mbrëma në Celje të Sllovenisë nuk i mjaftuan Dritës për avancim në një të tetën e finales të garës së tretë për nga niveli të UEFA-s.

Drita e mbylli rrugëtimin e gjatë në garat evropiane pas disfatës 3:2 nga Celje në udhëtim.
Me rezulat 3:2 humbi edhe në Prishtinë javën e kaluar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Celje kaloi në epërsi pas një aksioni të ndërtuar në minutën e 18-të. Svit Seshlar shënoi nga afërsia në portën e portierit Faton Maloku.

Për 2:0 shënoi mesfushori Darko Hrka, në minutën e 23-të.

Drita u kthye në lojë ndaj Celjes. Golin për 2:1 e shënoi Blerim Krsaniqi. Kishte festë nga shikuesit në përkrahje të gjilanasve. Sulmuesi Krasniqi shënoi me kokë pas harkimit të Besnik Krasniqit, në minutën e 26-të. Tre minuta më vonë, Drita nëpërmjet mbrojtësit të krahut, Raddy Ovouka qëlloi traversën në tentim për të harkuar.

Në momentet më të mira të saj, Drita, pësoi golin e tretë. 

Seshlar golin e dytë personal në ndeshje e shënoi në minutën e 43-të nga penalltia. Pjesa e parë përfundoi 3:1 në të mirë të vendësve.

Drita e nisi furishëm pjesën e dytë. Për 3:2 realizoi Albert Dabiqaj në minutën e 52-të.
Celje, që ishte skuadër më dominuese në pjesën e parë, në pjesën e dytë pati rast tjetër shënimi. Por gjuajtja e Nikita Iosifovit përfundoi në shtyllë.

Inkuadrimi i kosovarit Milot Avdyli te Celje në minutën e 62-të u prit me duartrokitje. Avdyli shënoi njërin prej tri golave të fitores 3:2 të Celjes në Prishtinë javën e kaluar.

Drita e përfundoi fazën e ligës në pozitën e 20-të me tetë pikë. Fitoret ndaj Shelbournet dhe Shkëndijës, si dhe barazimet me KuPS-in e Omonian, ia siguruan avancimin tutje skuadrës së Dritës.
Drita u bë skuadra e parë nga Kosova që u paraqit në fazën e plejofit. Pas eliminimit, gjilanasve u mbetet gara shumë e fortë për titull të kampionit të Kosovës. Nga Kupa është eliminuar.
 

Ramadani: Jam krenar që jam trajner i Dritës dhe i futbollistëve

1 muaj më parë / 26 shk 2026 21:17 Nga: Faton Polisi
Zekirija Ramadani

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka thënë në konferencën për shtyp të enjten pas eliminimit nga Liga e Konferencës, se është krenar që e drejton Dritën dhe futbollistët e skuadrës gjilanase. 
Ai theksoi se kanë bërë çdo gjë për të avancuar në një të tetën e finales. Ndeshjen që përfundoi 3:2 në të mirë të Celjes, tekniku shkupjan e vlerësoi “të çmendur”.

“Një ndeshje e çmendur. Ndeshje që dha pesë gola siç ishte në Prishtinë. Më vjen keq që u eliminuam nga kjo garë. Por nga ana tjetër jam krenar që jam trajner i Dritës dhe i këtyre futbollistëve me karakter kampioni, me zemër të madhe, me guxim të madh. Edhe sonte e treguan atë që jo rastësisht Drita ka ardhur deri këtu. Me punë, me angazhim, me besim, jemi këtu ku jemi. Vetëm mund t’i përgëzoj futbollistët e mi për lojën e treguar, për atë që kemi bërë deri më sot. Më meritorët janë ata. Djersa e tyre, mundi i tyre, angazhimi i tyre, sakrifica e tyre, bëri që ne të shkruajmë historinë në futbollin kosovar. Dua t’i falënderoj edhe tifozët tanë që erdhën nga Evropa për ta mbështetur ekipin tonë. Besoj se janë ndarë të kënaqur me lojën, por jo me rezultatin, siç nuk jemi të kënaqur edhe ne”, tha Ramadani.

Ai shtoi se rrugëtimi i Dritës i nisur vitin e kaluar ka qenë maratonik e me plot emocione. 

“Ka qenë një rrugëtim maratonik, që nga korriku deri më sot. Kemi pasur pushim që mund t’i numërosh në gishta. Nuk kemi pasur pushim fare, duke u munduar të jemi sa më të përgatitur. Një rrugëtim me mjaftë emocion, me shumë lodhje, por me shumë kënaqësi. Një rrugëtim që sot mburremi që e kemi bërë. Nëse do të ishte ndryshe, me rezultate negative, nuk do të sillnim futboll ndërkombëtar në muajin shkurt në Kosovë. Por, me guximin që e ka ekipi, me kualitetin, ne edhe në pranverë sollëm futboll ndërkombëtar. Kjo duhet të jetë shembull. Edhe mbrëmë thash që ky sukses nuk dua që të mbahet mend shumë gjatë. Por, dua sa më shpejtë të harrohet dhe të arrihet sukses edhe më i madh, qoftë nga ne por edhe nga dikush tjetër. U dëshiroj më të mirën, atë që dëshiroj për vete, edhe skuadrave të tjera, për të arritur në këtë nivel dhe për të arritur në këtë nivel. Kjo është me rëndësi”, shtoi tutje 48-vjeçari Ramadani.

Ai tutje foli edhe për eksperiencën në skuadër. Tha se ka qenë vendimtare në këtë eliminim. 

“Problemi kryesor ishte te eksperienca. Ekipi kundërshtar vitin e kaluar u eliminua në çerkefinale. Para disa muajve ka mundur Luganon me 5:0 dhe pas fjalëve të kundërshtarëve të sotëm, asnjë ekip nuk i ka dominuar siç ka dominuar Drita në Celje në pjesën e dytë. Nuk mund të them se çaloj mesfusha apo jo pa e bërë analizën. Nuk i pranuam golat nga gabimet në mesfushë. Ato erdhën përsëri nga goditjet standarde të cilat i kemi punuar. Një element që e ka kundërshtari ose një armë më të fortë, arriti ta shfrytëzojë, si e shfrytëzoi edhe në Prishtinë dhe e humbëm takimin”, tha Ramadani.

Ai e mbylli konferencën për shtyp pas ndeshjes duke thënë se ai dhe skuadra e Dritës do ta kërkojë sërish këtë fazë të garës, por në Ligën e Evropës. 

“E kam përjetuar ëndrrën time për të qenë një trajner i një skuadre që garon në Ligën e Konferencës apo Ligën e Evropës. Dhe jam i përmbushur deri më sot. Por, ia kam dhënë vetes një obligim që asnjëherë nuk dua të garoj me askënd tjetër përveçse me vetveten. Dhe nuk dua asnjëherë t’i them vetes mjaftë, kaq ishte se kjo mjafton. Nuk mjafton kurrë. Jam i bindur që mundemi, këtë e kërkoj edhe nga futbollistët. Mundemi, e kemi patjetër, detyrim, për ta vazhduar më tepër dhe për të qenë në garë me vetveten. Nëse kemi ardhur deri këtu ku ishim sot, vitin tjetër, nëse vijmë deri këtu, do të jetë në Ligën e Evropës, të mos jetë në Ligën e Konferencës. Nëse nuk arrijmë të bëjmë progres një hap, të paktën ta mbajmë atë që e kemi arritur vitin e kaluar. Kjo është motoja ime dhe për mua dhe për futbollistët e mi”, theksoi Ramadani.

Albert Dabiqaj ngushton në 3:2 rezultatin

1 muaj më parë / 26 shk 2026 19:55 Nga: Faton Polisi
Albert Dabiqaj - Drita

Drita ka shënuar edhe golin e dytë ndaj Celjes. 

Për 3:2 realizoi Albert Dabiqaj në minutën e 52-të.


GOLI

Drita po pëson 3:1 pas pjesës së parë

1 muaj më parë / 26 shk 2026 19:34 Nga: Faton Polisi
Drita

Ka përfunduar 3:1 pjesa e parë e ndeshjes kthyese të plejofit të fazës nokaut në Ligën e Konferencës ndërmjet Celjes dhe Dritës. 

Vendësit shënuan tri gola në pjesën e parë, ndërsa golin e vetëm për Dritën e realizoi Blerim Krasniqi në minutën e 26-të.

Edhe një gol nga Celje

1 muaj më parë / 26 shk 2026 19:29 Nga: Faton Polisi
Celje

Celje ka shënuar edhe një tjetër gol ndaj Dritës. 

Rezultati është 3:1. 

Svit Seshlar golin e dytë personal në ndeshje e shënoi në minutën e 43-të nga penalltia.

Me rezultatin 3:1 u mbyll pjesa e parë.

 

Goli

Ovouka qëllon traversën

1 muaj më parë / 26 shk 2026 19:16 Nga: Faton Polisi
Drita - Celje

Raddy Ovouka në minutën e 29-të qëlloi traversën për Dritën.  

Në tentim për të harkuar topi përfundoi në traversë. 

Drita po pëson 2:1 në ndeshjen e kthimit ndërsa ndeshjen e parë në shtëpi e kishte humbur 3:2. 
 

Drita kthehet në lojë

1 muaj më parë / 26 shk 2026 19:12 Nga: Faton Polisi
Blerim Krasniqi

Drita është kthyer në lojë ndaj Celjes. 

Për 2:1 gol shënoi Blerim Krsaniqi. 

Sulmuesi Krasniqi shënoi me kokë pas harkimit të Besnik Krasniqit, në minutën e 26-të.


Goli:

Celje shënon tjetër gol

1 muaj më parë / 26 shk 2026 19:09 Nga: Faton Polisi
Celje

Celje ka shënuar edhe golin e dytë ndaj Dritës. 

Për 2:0 shënoi mesfushori Darko Hrka, në minutën e 23-të.

GOLI

Celje në epërsi

1 muaj më parë / 26 shk 2026 19:06 Nga: Faton Polisi
Celje-Drita

Celje ka kaluar në epërsi përballë Dritës. 

Skuadra sllovene shënoi pas një aksioni të ndërtuar në minutën e 18-të. 

Svit Seshlar shënoi nga afërsia në portën e portierit Faton Maloku.

 

GOLI

 

Tjetër rast i lëshuar nga Drita

1 muaj më parë / 26 shk 2026 19:04 Nga: Faton Polisi
Celje-Drita

Drita ka lëshuar një tjetër rast të mirë shënimi. 

Gjuajtja e Liridon Balajt në minutën e 18-të u prit nga portieri i Celjes, Zan-luk Leban.
 

Tusha shpërdoron rast shumë të mirë

1 muaj më parë / 26 shk 2026 19:01 Nga: Faton Polisi
Drita - Celje

Veton Tusha ka shpërdoruar rast shumë të mirë për Dritën në minutën e 14-të. 

Ai e pranoi topin mirë dhe gjuajti me të parën, por topi shkoi jashtë kornizës së portës.

Nis ndeshja mes Celjes dhe Dritës

1 muaj më parë / 26 shk 2026 18:48 Nga: Faton Polisi
Drita - Celje

Ka filluar ndeshja e kthimit e plejofit të Ligës së Konferencës mes Celjes dhe Dritës. Ndeshjen e parë Drita e humbi në Prishtinë me rezultatin 3:2. 

Dritës nuk po i mungon përkrahja në tribuna. 

Drita me formacion 5-3-2 ndaj Celjes

1 muaj më parë / 26 shk 2026 17:46 Nga: Faton Polisi
Formacion

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka publikuar formacionin për ndeshjen ndaj Celjes.

Ramadani ka vendosur të paraqitet me dy sulmues, tre mesfushorë dhe pesë mbrojtës.

Ndeshja Celje - Drita luhet sonte nga ora 18:45.

Është ndeshja kthyese e plejofit të Ligës së Konferencës.