Federata e Futbollit e Kosovës doli me njoftim të martën mbrëma për gjendjen e futbollistit Oltion Bilalli.
Sipas FFK-së, gjendja e futbollistit të Gjilanit është stabile.
“Sipas neurokirurgut, rezultatet e fundit nga skanimi CT tregojnë se Oltion Bilalli është në gjendje stabile. Ai pritet të vendoset në repartin e kujdesit intensiv dhe do të jetë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të mjekëve. Urojmë që gjendja e Oltionit të përmirësohet sa më shpejt dhe ai t’i rikthehet sërish fushës së gjelbër”, shkruan në njoftimin e FFK-së të lëshuar pak para orës 23:00.
Federata ka falënderauar mjekët për kujdesin dhe profesionalizmin e shfaqur.
Gjilani: Bilalli është jashtë rrezikut për jetë
Me një komunikatë së fundi doli edhe klubi Gjilani. Sipas Gjilanit, gjendja e futbollistit Oltion Bilalli nuk paraqet rrezik për jetë.
“Bilalli ka pësuar gjakderdhje të brendshme në kokë, por është jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht, ai ndodhet në Mjekimin Intensiv Qendror, ku është nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor”, njofton Gjilani.