Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Superliga e Kosovës

Feronikeli 74 e Malisheva kërkojnë pikët e vlefshme

Superliga

Deri në përfundim të edicionit në Superligën e Kosovës në futboll kanë mbetur edhe gjashtë xhiro.

Pra në lojë janë edhe plot 18 pikë dhe shumëçka mund të ndryshojë në këta gjashtë xhiro.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për Feronikelin 74 çdo pikë e fituar deri në fund të kampanjës do të jetë e rëndësishme për misionin e vetëm – mbetjen në elitë.

Malisheva ndryshoi objektivin përgjatë rrugës. Tani synon një vend që dërgon në garat evropiane.

Feronikeli 74 është në pozitën e tetë, përkatësisht të barazhit, me 31 pikë, tri më pak se Gjilani që është në vendin e shtatë e që siguron mbetjen në Superligë.

Malisheva është e katërta dhe ka 52 pikë, gjashtë më pak se Llapi i vendit të tretë. Vendi i tretë siguron daljen në Evropë.

Feronikeli 74 dhe Malisheva të shtunën prej orës 15:00 do të ballafaqohen në duelin e xhiros së 31-të të Superligës.

Kjo ndeshje luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Mesfushori me tipare sulmuese i skuadrës nga Drenasi, Ibrahim Cërvadiku, beson në fitore ndaj Malishevës.

“Besojmë shumë se do t’i ikim vendit të barazhit. Trajneri është duke e bërë një punë shumë të mirë dhe ekipi është shumë i motivuar për ta bërë një gjë të tillë. Feronikeli është një skuadër që i kalon vështirësitë dhe jemi të motivuar për këtë qëllim si dhe çdo synim tjetër që e kanë skuadrat e mëdha”, ka thënë 21-vjeçari që në edicionin aktual ka tri gola të shënuar.

Njëri prej individëve cilësorë te skuadra e Malishevës është mesfushori Etnik Brruti.

Brruti është vlerësuar pozitivisht nga njohës të futbollit për paraqitjet e deritashme.

Mesfushori i qendrës ka thënë se te Malisheva po punohet shumë për arritjen e objektivave.

“Po punojmë shumë i gjithë ekipi dhe stafi, që ta vazhdojmë formën e mirë. Ka ende shumë lojë dhe besojmë deri në fund. Shpresojmë që të luajmë në garat evropiane”, ka thënë 20-vjeçari.

Ai ka shtuar se udhëtimi në Drenas do të jetë i vështirë.

“Ndeshja me Feronikelin normalisht se do të jetë shumë e vështirë. Por, mendoj se jemi përgatitur shumë mirë gjatë javës për t’i fituar tri pikë”, ka theksuar Brruti.

Malisheva del në Evropë edhe nga vendi i katërt, nëse Ballkani fiton Kupën. Por kjo nuk është garanci.

Nga tri ndeshjet e ndërsjella të edicionit aktual, Malisheva ka dy fitore, ndërsa një ndeshje është mbyllur baras.

Të shtunën do të zhvillohet edhe ndeshja Fushë Kosova – Liria, ndërsa në program për t’u luajtur të dielën janë derbi Prishtina – Llapi, pastaj Gjilani – Ballkani, Dukagjini - Drita.

Superliga – 31

E shtunë (15:00)

Fushë Kosova – Liria

Feronikeli 74 – Malisheva

E diel (15:00)

Prishtina – Llapi

Gjilani – Ballkani

Dukagjini – Drita