Futboll

Drejtori i Policisë së Shtetit e konsideron “sfidë të kaluar me sukses” ndeshjen Shqipëri - Serbi

Policia e shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka shprehur mirënjohjen për strukturat policore dhe institucionet e përfshira në zbatimin e planit të posaçëm të masave të sigurisë për ndeshjen e futbollit Shqipëri–Serbi, e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026, e cila përfundoi me rezultatin 0:0 të shtunën mbrëma.

Në një mesazh të shpërndarë në Facebook, Proda theksoi profesionalizmin, përkushtimin dhe vetëkontrollin e treguar nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas aktivitetit sportiv, të cilin e cilësoi si një sfidë me ndjeshmëri të lartë.

“Është e disata herë që brenda një muaji t’ju drejtohem me shumë kënaqësi dhe gjej momentin të jem falënderues për të gjithë ju që përballuat me sukses disa sfida shumë të rëndësishme, të cilat kërkonin përkushtim, angazhim, sakrificë dhe maturi”, u shpreh Proda në mesazhin e tij.

Ai vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes strukturave policore, Gardës së Republikës, Policisë Bashkiake Tiranë, FSHF-së, UEFA-s, stafit të skuadrës mike dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, që mundësuan mbarëvajtjen e aktivitetit pa incidente që do të cenonin rendin publik.

Gjithashtu, Proda shprehu falënderim të veçantë për qytetarët dhe tifozët, të cilët sipas tij, respektuan udhëzimet e policisë dhe kontribuuan për një atmosferë të sigurt.

“Bashkëpunimi me qytetarët për përballimin e këtyre sfidave është një tjetër tregues i besimit që ndërtojmë së bashku”, përfundoi ai, duke e konsideruar këtë përvojë si një dëshmi e gatishmërisë për të përballuar me sukses edhe sfidat e sezonit veror.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë nuk pati incidente të theksuara. Ajo që ka ngjallur më së shumti reagime ka qenë largimi i simboleve të UÇK-së nga stadiumi.