Futboll

De Gea: Antony nuk ka shënuar me të djathtën as në stërvitje

de gea

Portieri i Fiorentinës, David de Gea, ka bërë shaka duke thënë se ish-bashkëlojtari i tij te Manchester Unitedi, Antony, nuk ka shënuar asnjëherë gol aq të bukur, siç bëri braziliani të enjten mbrëma. 

Real Betisi fitoi ndaj Fiorentinas 2:1 në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Ligës së Konferencës. 

I huazuari nga Mnachester Unitedi realizoi me gjuajtje të fuqishme me të djathtën, për ta dërguar topin prapa shpinës së portierit De Gea. 

Ishte goli i gjashtë i Antonyt, qëkur ai u largua nga “Old Trafford” në muajin janar, për t’iu bashkuar klubit spanjoll. 

25-vjeçari Antony u transferua tek Unitedi nga Ajaxi në vitin 2022 për 95 milionë euro. 

“Jam stërvitur me Antonyn 1000 herë dhe asnjëherë nuk ka shënuar gol me këmbën e djathtë në ndonjërën prej stërvitjeve. Jam i lumtur për të sepse ai vinte nga një moment i vështirë tek Unitedi dhe po e shfaq më të mirën sërish”, ka deklaruar De Gea për “Movistar” pas ndeshjes. 

Legjenda e Real Betisit, Joaquin, ka bërë shaka duke thënë se “do ta kidnapojë” ish-sulmuesin e Ajaxit, në mënyrë që ta mbajë atë në skuadër. 

“Do ta dhuroj makinën nëse ai duhet të kidnapohet, por ai duhet të qëndrojë pavarësisht çdo gjëje. Ky është moment për ta shijuar. Mendoj se momente të rëndësishme do të vijnë dhe do ta shohim më vonë”, ka theksuar Joaquin. 

Abde Ezzalzouli e kaloi Betisin në epërsi në minutën e gjashtë, ndërsa Antony e dyfishoi epërsinë, para se kapiteni i Fiorentinës, Luca Ranieri, ta shënonte golin e vetëm për vizitorët.