Ballkani e ka humbur ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Kampioni i Kosovës në futboll humbi nga Larne e Irlandës së Veriut me rezultatin 1:0. Ndeshja e parë u zhvillua të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Humbje të enjten ka pësuar edhe Drita. Skuadra gjilanase të enjten u mposht në udhëtim tek Auda e Letonisë me rezultatin 1:0, në “Skonto stadions” të Rigas.
Futbollisti i Ballkanit, Bleart Tolaj, thotë se nuk ka përfunduar ende asgjë. Ai beson se Ballkani ka forcë për të siguruar plejofin e garës së tretë të UEFA-s për nga niveli.
“Mendoj se në këtë ndeshje ishim favoritë, por u futëm në presion, sepse nuk arrinim të shënonim gol. Pastaj goli i pësuar në fund na vështirëson punën, por nuk jemi dorëzuar. Do ta kërkojmë kalimin tutje në ndeshjen e kthimit. Në ndeshje të nivelit të tillë sigurisht se ndikon ndryshimi i ekipit. Kemi lojtarë të rinj që ende nuk janë komponuar mirë, por tani duhet t’i lëmë anash arsyetimet dhe të përgatitemi për ndeshjen e dytë, të fitojmë dhe të kalojmë tutje”, ka thënë Tolaj.
Golin e fitores për Larnen e shënoi në minutën e 89-të Aaron Donnelly. Ndeshja kthyese luhet pas një jave.
Edhe sulmuesi Almir Kryeziu beson se Ballkani mund ta sigurojë kalimin në plejof të Ligës së Konferencës.
“Të gjitha po i bëj mirë, por vetëm te goli nuk e di se çfarë po ndodh. Më duhet një gol për t’u zhbllokuar. Por besoj se edhe goli do të vijë shpejt. Unë jap maksimumin tim në të gjitha ndeshjet”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka vlerësuar prurjet e reja. Por vlerëson se u duhet ende kohë për t’u komponuar.
Në fakt Ballkani ka bërë shumë ndryshime në skuadër. Ballkani dy edicionet e kaluara ishte pjesë e grupeve të Ligës së Konferencës. Synon ta arrijë për herë të tretë.
Edhe Drita synon paraqitjen për herë të parë në grupet e Ligës së Konferencës. Si Ballkani ashtu edhe Drita duhet ta kalojnë me sukses raundin e tretë e më pas edhe plejofin për të siguruar paraqitjen në grupet e Ligës së Konferencës.
Edhe Drita e humbi ndeshjen e parë 1:0. Te klubi gjilanas ka shpresë për rezultat të favorshëm pas një jave në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Skuadra gjilanase u mposht në udhëtim nga Auda e Letonisë me golin e hershëm të pësuar.
Në minutën e tetë mbrojtësi portugez Bruno Tavares shënoi nga gjuajtja e lirë në portën e portierit Faton Maloku.
Ballkani në plejof, nëse kualifikohet, do të përballet me fituesin e ndeshjes ndërmjet skuadrës nga Bjellorusia, Dinamo Minsk dhe skuadrës nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps.
Në plejofin e Ligës së Konferencës, nëse avancon tutje, Drita do të ballafaqohej me fituesin e ndeshjes Brondby – Legia Varshava.