Duke ngjallur instinktet e luftëtarëve dhe duke ndezur urrejtjen primordiale, Miti i Kosovës përgatiti shpirtrat për një përballje të përgjakshme me turqit (shqiptarët – S. L.). Kjo ishte pikërisht ajo që, në atë moment, i përshtatej më shumë qytetarisë serbe, e cila ishte e zënë me përgatitjen shpirtërore dhe materiale për luftën kundër Perandorisë Osmane. Miti i Kosovës, si një lidhje midis masave luftëtare dhe qytetarisë udhëheqëse, ishte i përfshirë drejtpërdrejt në propagandën kombëtare dhe nga miti ajo u shndërrua në realiteti politik i popullit serb
Kulti i Vidovdanit
Shpërthimi i impulseve irracionale, kuptohet, dha rezultate më pozitive në poezi sesa në praktikën socio-politike. Momenti i pazakontë historik, në të cilin lindi e reja me ndihmën e vetëdijes së vjetër, në shumë mënyra i ngjante asaj periudhe kalimtare në historinë e çdo kombi, të cilën Ruvarac e quante epoka heroike; epoka në të cilën një komb i caktuar kalon nga mbretëria e botës mitike në qytetërimin modern.
Është e kuptueshme që ky akt historik, i cili te serbët, siç e kemi theksuar më parë, ka një kohëzgjatje, përkon edhe me epokën e artë të poezisë heroike serbe. Në atë kohë, ndër të tjera, poezitë e Kosovës do të fitojnë edhe një formë më të përsosur, e cila do t’u japë atyre vlerë të qëndrueshme artistike.
Në shenjën e lindjes së madhe, ringjalljes së madhe historike, lindi poezia e madhe e Kosovës, si një imazh jo menjëherë i dallueshëm i një momenti të jashtëzakonshëm historik dhe poetik.
Në ato ditë, në epokën e artë të poezisë heroike serbe, u ripërtëri edhe kujtimi i Vidovdanit. Nga thellësitë mitike, së bashku me imazhe të tjera irracionale, lindi edhe dita e mëparshme e reflektimit heroik.
Në anën tjetër dihet pak se kur serbët e kanë festuar Vidovdanin si festën e tyre kishtare. Ata zakonisht e ngatërrojnë atë me 15 qershorin, festën e shenjtorit Amos dhe princit Lazar, dhe shkruajnë se është festuar për më shumë se pesë shekuj. Si zakon, disa burime (madje edhe “Enciklopedia e Jugosllavisë”, vëll. 5, f. 336) pohojnë se Vidovdani përmendet edhe aty ku burimi përmend vetëm 15 qershorin si ditën e Betejës së Kosovës. Si festë kishtare dhe kombëtare, Vidovdani është një zhvillim i kohëve të fundit. Rruga drejt përfshirjes së tij me shkronja të kuqe në kalendarin e Kishës Ortodokse Serbe është mjaft e gjatë dhe interesante. Është karakteristike se ajo shkon krah për krah me krijimin e një kulti të ri të Vidovdanit, në të cilin tradita e Kosovës fiton një variant pseudo-mitik.
Edhe pse nuk gjendet në kalendarët e shekullit XVIII dhe gjysmës së parë të shekullit XIX, Vidovdani përmendet në mbishkrime dhe poema rreth tragjedisë së Kosovës, në almanakë dhe revista letrare të gjysmës së parë të shekullit XIX.
Prej poetëve më domethënës, Mušicki këndoi "Odën për Vidovdanin 1389” që në vitin 1819, dhe Jovan Sterija Popović botoi elegjinë “Spomen Vidova dana” në vitin 1842. Në të dyja poemat, frymëzimet janë në mënyrë refleksive historike dhe jomitike. Çuditërisht, te Njegoshi, interpretimi poetik i të cilit i tragjedisë së Kosovës ka edhe elementë mitikë, Vidovdani përmendet vetëm në një vend.
Megjithatë në vitet 1860, idetë e Vukut do të triumfonin dhe si shenjë e ringjalljes së shpirtit kombëtar edhe interesi për të kaluarën historike si dhe parahistorike e mitike u rrit. Đura Daničić ishte në ballë të kësaj rruge. Së bashku me interesin për të kaluarën, u forcua edhe vetëdija kombëtare-revolucionare. Kështu në vitin 1866, u krijua organizata patriotike “Rinia e Bashkuar Serbe”. E gjithë jeta publike, politike, letrare, artistike dhe fetare, u zhvillua në frymën e përgatitjeve për çlirim nga turqit. Në një atmosferë të tillë, tradita e Kosovës u bë gjithnjë e më popullore, dhe Vidovdani përmendej gjithnjë e më shpesh, kështu që në vitet gjashtëdhjetë ai do të hynte në fjalorin e gazetarisë së përditshme patriotike, bile edhe gazeta kryesore politiko-letrare në Beograd do të quhej "Vidov-dan".
Por vetëm në vitet e gjashtëdhjeta, në “Shematism për vitin 1864”, në vend të shenjtorit Amos dhe princit Lazar, nën 15 qershor do ta gjejmë të regjistruar për herë të parë Vidovdanin. Por jo me të kuqe, por me shkronja të rregullta. Në vitet në vijim, ndoshta nën presionin e kishës, shenjtorët e kishës Amos dhe Lazar do të përfshihen gjithashtu së bashku me Vidovdanin popullor. Në “Shematism për vitin 1864” për shembull, do të gjejmë "Vidovdanin, Amosin, etj."
Edhe pse qendra e serbizmit revolucionar ishte Novi Sadi, përfshirja e Vidovdanit në kalendarët në territorin e Mitropolisë së Karllovcit ishte më e vështirë sesa në Serbi. Mitropoliti i Beogradit, Mihailo, kishte më shumë respekt për idetë nacional-revolucionare sesa Kisha Serbe në Austro-Hungari. Prandaj, Vidovdani nuk do të përfshihet lehtë në "Kalendarin e të Rinjve", i cili ishte një shprehje e drejtpërdrejtë e ideve të “Rinisë së Bashkuar Serbe” në mes të ekstazës patriotike të vitit 1868.
Lindja e Mitit të Kosovës në shekullin XX
Hezitimi për shpalljen e Vidovdanit si festë zyrtare kombëtare dhe kishtare do të vazhdojë deri në fillim të shekullit XX. Në kalendarin e Bibliotekës së Vogël për vitin 1909, Vidovdani është shkruar, për shembull, me shkronja të zakonshme. Gjithashtu edhe në kalendarin e Sarajevës “Prosveta” për vitin 1913, i cili u botua në vitin 1912, para fitores së ushtrisë serbe mbi turqit, 15 qershori shënohet si Vidov dhe Lazarev Dan por megjithatë ai nuk është shënuar me shkronja të kuqe. Por, vitin tjetër, 1914 në kalendarin e të njëjtit institucion të shtypur në vitin 1913, që do të thotë pas Betejës së Kumanovës, emri i Vidovdanit është shkruar me shkronja festive, të kuqe. Pra, në vitin 1914, Vidovdani hyri në kalendarin e Mbretërisë së Serbisë si një nga nëntë festat kryesore që festohen zyrtarisht çdo vit.
Prandaj, vetëm pas fitores përfundimtare mbi turqit, me të cilën luftëtarët serbë, si dhe njerëzit arkaikë të së kaluarës, vërtetuan se ishin të denjë për paraardhësin e tyre heroik, Vidovdani u prezantua zyrtarisht si një festë kombëtare, kishtare dhe popullore.
Që nga viti 1913, në ditën e festimit të saj, kujtimi i luftëtarëve të rënë në Luftën e Parë Botërore do të evokohet rregullisht dhe ushqimi dhe pijet do të ndahen për shpirtrat e tyre, si në kohërat mitike.
Shkalla në të cilën Vidovdani, i cili buron nga festimet e lashta në nder të perëndisë Vid, si një ditë e mëparshme reflektimesh heroike, u bë popullor në shekullin XX mund të shihet nga fakti se disa ngjarje kyç në jetën e kombit serb u lidhën me këtë festë. Së pari Gavrillo Principi e vrau Franz Ferdinandin në Vidovdan në vitin 1914, ndërsa në vitin 1921 partitë qytetare serbe, duke shpresuar ta impononin më lehtë te populli në ditën e Vidovdanit e votuan Kushtetutën jopopullore të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve.
Ndërsa në shekullin XX, një kult i ri i Vidovdanit po krijohej dukshëm, i cili erdhi si një fund i papritur i një procesi kombëtar-politik që kishte filluar në epokën e romantizmit.
Si një forcë kryesore shpirtërore dhe pjesërisht shoqërore, inteligjenca urbane ia imponoi mendimin e saj masës fshatare patriarkale, por në të njëjtën kohë, së bashku me poezinë dhe gjuhën popullore, ajo pranoi deri në një farë mase edhe botëkuptimin e saj arkaik. Prandaj, siç e kemi parë, ajo përqafoi edhe Vidovdanin. Në këtë mënyrë, ndodhën fenomene që shikuar nga pikëpamja e pjekurisë shpirtërore të një populli dhe zhvillimit të vetëdijes së tij shoqërore, ishin të pazakonta dhe të çuditshme. Nga vitet tridhjetë deri në vitet shtatëdhjetë të shekullit XIX, inteligjenca serbe u ushqye si me frymën pagane të poezisë popullore ashtu edhe me mendimin modern të filozofëve dhe shkencëtarëve si Kanti, Hegeli, Konti, Darvini, Haeckel, Bychner e të tjerë.
Pasojat e mitizimit të ngjarjeve historike në Kosovën moderne
Të interesuar si për të kaluarën historike ashtu edhe për atë mitike, të fiksuar pas heronjve me fuqi mbinatyrore, zanave të bardha, dragonjve, demonëve, vampirëve, ashtu si këngëtarët popullorë para tyre, poetët romantikë gjithashtu e kombinuan mitologjinë dhe historiken duke i derdhur ato në tërësi të reja poetike. Kështu ata i krijuan vizionet e tyre mitiko-poetike: poema heroike, histori, drama.
Veçori e vizioneve të tyre do të jetë zëvendësimi i figurave historike me hyjni pagane dhe shenjtorë të krishterë, domethënë mitologjizimi i ish-zotërinjve feudalë dhe rebelëve bashkëkohorë. Jo vetëm Karagjorgje dhe heronjtë rebelë, por edhe heronjtë e Kosovës Millosh Obiliq, car Lazari dhe të tjerë shfaqen në vargjet e Milutinoviqit, Kostiqit ose Jakshiqit si simbole heroike. Është karakteristikë e këtyre zëvendësimeve heroike që në to, ashtu si në perëndinë Vid, drita dhe heroizmi mishërohen në të njëjtin person.
Ndërsa me kalimin e kohës, Miti i Kosovës do të bëhet një urë shpirtërore midis inteligjencies qytetare dhe degëve ende të gjalla të perëndisë Vid në botën tonë patriarkale-heroike.
Legjenda e Kosovës ishte më afër idealeve kombëtare-politike të kohës sesa çdo miti ekzistues. Këngët e Kosovës i inkurajuan luftëtarët tanë patriarkalë, duke zgjuar tek ata Obiliqët e rinj. I mësuar të mendonte në qarqe mitike, njeriu ynë patriarkal gjatë kryengritjes, i perceptonte turqit (shqiptarët – S. L) si një të keqe mitike që duhej shkatërruar plotësisht. Urrejtja e tij për turqit (shqiptarët – S. L.) u rrit paralelisht me rritjen e krimeve të kryera nga feudalët myslimanë gjatë shekullit XIX.
E keqja duhej shkatërruar, shkatërruar plotësisht aty ku dikur kishte triumfuar, në Kosovë, në mënyrë që pas vdekjes së saj, në ditën e zotit Vid, dhe nën shenjën e Kryqit triumfues të Ndershëm, të mund të lindte liria. Duke ngjallur instinktet e luftëtarëve dhe duke ndezur urrejtjen primordiale, Miti i Kosovës përgatiti shpirtrat për një përballje të përgjakshme me turqit (shqiptarët – S. L.). Kjo ishte pikërisht ajo që, në atë moment, i përshtatej më shumë qytetarisë serbe, e cila ishte e zënë me përgatitjen shpirtërore dhe materiale për luftën kundër Perandorisë Osmane.
Miti i Kosovës, si një lidhje midis masave luftëtare dhe qytetarisë udhëheqëse, ishte i përfshirë drejtpërdrejt në propagandën kombëtare dhe nga miti ajo u shndërrua në realiteti politik i popullit serb.
Në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, Mbretëria e Serbisë luftoi me mjete politike për aneksimin e territoreve të atëhershme turke, të Kosovës dhe rajoneve të tjera në jug. Pas disfatës së ushtrisë serbe në luftën kundër turqve në 1876 dhe 1877, jo vetëm poetët, por edhe patriotë të tjerë, punonjës publikë, gazetarë, politikanë madje edhe oficerë flisnin gjithnjë e më shumë për hakmarrjen e Kosovës.
Më herët Miti i Kosovës, siç ekzistonte në poezinë popullore, ishte në shërbim të mendimit çlirimtar kombëtar. Megjithatë, tani ai u transformua gradualisht dhe u krijua një kult i ri i Vidovdanit. Sipas mitit, Vidovdani ishte një ditë reflektimi heroik, fitoreje, triumfi mbi të keqen. Në kultin e ri, të krijuar nën presionin e imperativave politike dhe ekonomike të qytetarëve serbë, depërtimit në jug dhe pushtimit të Kosovës, Vidovdani u shndërrua në simbol të hakmarrjes së përgjakshme dhe të pamëshirshme kundër gjithçkaje që është turke (shqiptare – S. L.), myslimane në përgjithësi.
Në kultin e ri, që nga fillimi, ekziston një shtresim i brendshëm i Mitit të Kosovës, me anë të të cilit poetika ia lë vendin politikës konkrete kombëtare.
Kulti i Vidovdanit, i cili përzien realitetin historik me realitetin mitik, luftën e vërtetë për liri me tendencat pagane të ruajtura (hakmarrje, masakra, dhe ringjalljen e një paraardhësi heroik), potencialisht përmban brenda vetes të gjitha tiparet e një mjedisi me impulse mitike të pazbutura.
Si një fazë e caktuar në zhvillimin e mendimit kombëtar, ai ishte historikisht i nevojshëm. Por, si një gjendje e përhershme mendore, kulti i Vidovdanit mund të jetë edhe fatal për ata që nuk janë në gjendje të shkëputen nga rrjetet e tij pseudo-mitike dhe pseudo-historike.
Pra edhe në shekullin XX, poetët dhe ideologët romantikë të kombit serb e pranuan Mitin e Kosovës dhe ia dhanë atij një vend të veçantë në jetën shpirtërore të popullit serb. Në kohën e tyre ky mit u bë thelbësor – kombëtar, i shoqëruar nga një moto e re vrasëse, “Për ‘Kryqin e Ndershëm’ dhe lirinë e artë:”.
Prandaj në mendimin modern, shpirti njerëzor, në Kosovën e re mund të përjetojë disfatë intelektuale dhe etike.
Miodrag Popoviq (1920 - 2005) ka qenë historian i letërsisë serbe dhe autor i shumë studimeve. Librin “Vidovdani dhe Kryqi i Ndershëm: një përmbledhje e arkeologjisë letrare” (Видовдан и часни крст: оглед из књижевне археологије) ai e publikoi në vitin 1976 në Beograd. Siç shihet edhe nga titulli, libri ka për temë lindjen, zhvillimin dhe pasojat e “Mitit të Kosovës”. Duke e pasur parasysh se ky mit bashkë me komponentët e tjerë përcjellës, në fakt u shndërrua në “Tapi serbe të Kosovës” dhe një tapi e tillë u perceptua ashtu edhe nga një pjesë e opinionit ndërkombëtar, pas leximit të librit mund të thuhet me të drejtë se autori Miodrag Popoviq ia ka dalë me sukses që ta shpërfytyrojë “tapinë serbe mbi Kosovën”. Ky shkrim është pjesa e tretë e fragmenteve nga libri. Titulli dhe nëntitujt janë të Skënder Latifit