Në rrethana e kushte të jashtëzakonshme po silleshin shfaqje e tregime të reja. Madje me guximin e pashoq të regjisorëve e aktorëve, edhe krimet e pushtuesit. Shtëpi, objekte fetare e jo vetëm u bënë vend zbulimi i historive që trajtoheshin në shfaqje. Ngase teatri ishte ilegal. Një pjesë e kësaj historie është mbledhur në një dhomë kujtimesh. Mbajtja në jetë e teatrit është esenca e ekspozitës dhe dokumentarit “Teatri ilegal” me autor artistin e regjisorin Sovran Nrecaj.
Ekspozita zbulon rrëfimet e veprimtarisë për funksionimin e teatrit deri në vitin 1998 kur kishte shpërthyer lufta në Kosovë. Tregimi i dokumentarit “Teatri ilegal” ndërtohet në formë të një bisede mes Nexhat Xhoklit, Dashuri Rexhepit dhe Arben Marevcit, tre aktorët e teatrit të qytetit të Ferizajt që ishin dëshmitarë të rezistencës së institucionit. Ata rrëfejnë shfaqjet që nuk ishin veç të tilla, vinin edhe si protestë e asaj çfarë pushtuesi po bënte. Por edhe e së kaluarës, siç ngjante me shfaqjen e 1996-s që për tematikë kishte vrasjen e vëllezërve Gërvalla.
Këmbëngulja se teatri duhej të vazhdonte ka qenë kryefjala e dokumentarit të ndarë në tri tenda, të rrethuara me perde me ngjyra të ndezura, brenda të cilave ishte nga një ekran dhe kufje për dy persona.
Mbështjellja e atij ekrani ishte simbolikë e improvizimit dhe izolimit të teatrit si institucion. Brenda tyre zbulohet se ka nga një dedikim. Ato janë për regjisorin Ismail Rama dhe aktorët Hafir Bislimi e Misret Halili, kontribuues të teatrit të Ferizajt.
Pranë tendave ku shfaqet dokumentari, në njërin prej mureve të objektit të bibliotekës së qytetit “Hivzi Sylejmani” në kryeqytet, vend ka zënë edhe një lloj mini-galerie me fotografi arkivore nga këto shfaqje. Ato janë të varura në sfondin me fotografinë gjigante me ekipin e shfaqjes “Piramida”, pas premierës së saj në Preshevë.
Autori i ekspozitës, regjisori Nrecaj ka thënë se fillimisht projekti është menduar si dokumentar e më pas është zgjeruar.
“Bashkë me Blertën kemi vendosur ta japim përmes tri pjesëve që është në tri tenda, duke tentuar ta imitojë kohën e viteve ’90 të sistemit paralel kur është bërë teatri. Duhet të kujtojmë se pos tjerash në atë kohë janë mbyllur teatrot dhe kështu më specifikisht në Ferizaj, me të cilën jam marrë unë. Aktorët dhe regjisorët në atë kohë, për shkak se nuk kanë mundur ta bëjnë në teatër kanë gjetur hapësira të ndryshme si shtëpi, kisha, qendra të kulturës. Ka qenë njëfarë izolimi mes tyre, përkundër pushtetit”.
Kuratorja e ekspozitës, Blerta Hoçia, ka thënë se ndarja e dokumentarit në tri pjesë është metaforë e shumanshme. Ajo vlerëson se çdo formë e tillë e memorializimit është shumë e rëndësishme.
“Është një video-dokumentar që rrëfen për historinë e rezistencës së teatrit ilegal, veçanërisht në qytetin e Ferizajt, sepse edhe autori vjen prej atje. Dokumentari është ndarë qëllimisht në tri pjesë dhe është vendosur në tri tenda për të pasur njëfarë metafore të asaj periudhe, sepse siç e dimë, i përket asaj periudhës së sistemit paralel e cila fillon që nga suprimimi i autonomisë së Kosovës më 1989 e deri në shpërthimin e luftës”.
Ekspozita është ka qenë përfituese e thirrjes për projekte artistike të Fondit për të Drejtë Humanitare që synon ballafaqimin me të kaluarën. Vesa Qena, menaxhere e Qendrës së Dokumentimit në Kosovë, ka thënë se kjo nismë ka për qëllim t’i nxisë artistët e rinj të merren me të kaluarën.
“Është ekspozita e dytë sa i përket këtij aktiviteti që e kemi për nxitjen e artistëve të rinj që të merren me të kaluarën dhe të gjejnë forma të reja të të bërit art duke u ballafaquar me të kaluarën. Ky projekt do të zgjasë deri vitin tjetër dhe deri më tani janë katër artistë që janë përzgjedhur për të shfaqur punët e tyre në Qendrën e Dokumentimit të Kosovës”.
Ekspozita “Teatri ilegal” do të qëndrojë e hapur për një muaj në hapësirat e Qendrës së Dokumentimit në kryeqytet.