EXPRESS

“Të burgosurit e ndërgjegjes...” me zërat që s’u dorëzuan për liri

Rrëfime të hollësishme të persekutimit, luftës, dhunës, vrasjeve, torturimit, vuajtjes, urisë, burgosjes, izolimit e çka jo tjetër, janë përmbledhur në librin “Të burgosurit e ndërgjegjes: Memoare për politikën, burgun dhe torturën (1945-1999)”. Janë dhjetë heronj të shndërruar në zërat që nuk u dorëzuan për lirinë.

Libri “Të burgosurit e ndërgjegjes: Memoare për politikën, burgun dhe torturën (1945-1999)”  ka mbledhur në një botim narrativat e dhjetë ish-të burgosurve. Aty rrëfehen dhuna, shtypja e tortura ndaj shqiptarëve të Kosovës prej viteve ‘40 e deri në fundshekullin e kaluar. Libri i ndërtuar mbi historinë gojore konsiderohet aset i rëndësishëm i historiografisë, ndërsa literatura e kësaj natyre, e mangët. 

Në qendrën “Barabar” në Prishtinë, ekranet janë ndezur për fotografitë e dhjetë ish-të burgosurve. Imazhet e tyre para a pas burgimit dhe ato të tanishme janë shpalosur në krejt hapësirën. I japin formë ekspozitës “Të burgosurit e ndërgjegjes: Kujtime të rezistencës dhe dinjitetit” e cila pasqyron vizualisht historitë në libër. 

Figura e Hasan Dërmakut, Selatin Novosellës, Neriman Brahës, Sherafedin Berishës, Ukë Thaçit, Teuta Hadrit, Ibish Nezirit, Shukrije Gashit, Dinore Cani-Hasanmetajt dhe Zahrie Podrimqaku-Subashit janë aty. E krejt këta ia hapin publikut hapin “grilat” e burgut. Me rrëfimet e tyre jetësojnë e rrëfejnë përjetimet e rënda e të trishta. 

Drejtuesi i projektit për librin që është publikim i “ForumZFD” ka qenë Korab Krasniqi. 

Selatin Novosella, ish-i burgosur politik që e ka historinë e tij në libër, ka thënë se ky botim është libër referencë për historinë më të re të Kosovës. Ka thënë se një i tillë ka qenë mungesë. 

“Është i munguar deri më sot në historiografinë dhe në publicistikën e Kosovës. Këtu janë të përfshira dhjetë intervista të veprimtarëve politikë të periudhës 60-vjeçare. Që nga viti 1964, si anëtarë të organizatës Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve të udhëhequr nga Adem Demaçi e deri këtu ku kemi të pranishëm nga brezi i vitit 1968, nga demonstratat e vitit 1981, nga lëvizja paqësore e viteve ’90 dhe nga Ushtria e lavdishme Çlirimtare e Kosovës”, ka deklaruar Novosella.
Promovimi ka qenë edhe një panel me hulumtuesen Elife Krasniqi dhe historianin Durim Abdullahu, moderuar nga profesoresha e sociologjisë, Vjollca Krasniqi, e cila ka thënë se libri “Të burgosurit...” i shqyrton strategjitë shtetërore të përndjekjes e shtypjes politike. 

“Libri përmbledh histori nga burra e gra, të cilët jetuan dhunën, shtypjen dhe torturën në burg. Këto intervista të thelluara dhe dokumentimi historik i këtij libri shqyrton strategjinë shtetërore të përndjekjes dhe shtypjes politike, përvojat e burgosjes, torturës dhe mbijetesës në izolim, si dhe rolin e rezistencës politike dhe aktivizmit për paqe dhe barazi, për kujtesën e desidencën nën ndikimin e saj në historinë bashkëkohore”, ka theksuar Krasniqi.

Hulumtuesja Elife Krasniqi e konsideron si kontribut të jashtëzakonshëm të rrëfimeve për ilegalen. Ka thënë se historia gojore si metodologji shpesh bazohet në atë se çfarë kujtojnë të intervistuarit. 
“U takoj hulumtuesve që mendoj se është terreni dhe tema e cila e përcakton metodologjinë, përtej disiplinës. Sidomos nëse duam që një hulumtim të jetë më i nuancuar dhe kam frikë që ndonjëherë hulumtimi për ilegalen nuk është mjaftueshëm i nuancuar, atëherë metodologjia duhet të kombinohet”, ka deklaruar Krasniqi.

Historiani Durim Abdullahu ka thënë se në Kosovë kjo metodologji është e vonshme ndërsa të pakta botimet e historiografisë shqiptare në Kosovë të para ‘99-s. Abdullahu ka thënë se kjo ka ardhur si rrjedhojë e shtypjes, nënpërfaqësimit e diskriminimit politik. 

“Shqiptarët në ish-Jugosllavi kanë qenë një subjekt shumë i shtypur, i nënpërfaqësuar dhe politikisht i diskriminuar. Kanë përjetuar kaq gjatë dhe në mënyrë sistematike vuajtje, burgosje politike, kanë qenë pjesë e një gjenocidi krejt unik dhe të pashembullt të ushtruar në Evropë në fund të shekullit XX. Me sa duket kjo është një prej arsyeve që ka ndikuar që të jetë i pamundur aplikimi i historisë gojore në studimet historike në Kosovë”, ka deklaruar Abdullahu.

Në libër bëhet e ditur se të dhënat e Shoqatës së të Burgosurve Politikë në Prishtinë janë rreth 12 mijë shqiptarë të përndjekur e të burgosur për motive politike gjatë Jugosllavisë socialiste e më pas gjatë regjimit të dhunshëm të Millosheviqit.