EXPRESS

“Stabat Mater” himnizon Rossinin në Kosovë

“Stabat Mater” e virtuozit italian, Gioachino Rossini, ka qenë magjia e radhës e Filharmonisë së Kosovës. Jo veç për institucionin, por për solistët që kanë interpretuar në skenat botërore, ka qenë hera e parë që kanë zbërthyer vargjet e tingujt e veprës.

Linjat virtuoze në vokal, melodi të theksuara, veçmas interpretimi i disa arieve kanë qenë prej specifikave të njërës prej kryeveprave botërore.

Ndonëse është vepër me përmbajtje liturgjike, koncerti i së premtes mbrëma në “Klan Arena” shpesh është mbuluar me një pamje romantike me anë të Orkestrës së Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe Korit të Përzier të Selanikut.

Solistët kanë qenë më se të zëshëm në pjesët e tyre emocionuese, me vibrimet e zërit. I tillë ka qenë interpretimi i sopranos Besa Llugiqi. Shpesh përfshin tinguj të pastër dhe me nota të larta. Mexosopranoja franceze, Albane Carrere, përcjell situata kryesisht melankolie derisa baritoni bullgar, Julian Konstantinov, e peshon atë në një formë. Tenori italian, Pablo Karaman, e bën dominues dinamizmin e tij.

Për mexosopranon franceze, Albane Carrere, bashkëpunimi me solistët dhe orkestrën ka qenë eksperiencë tejet e mirë. Për të ka qenë hera e parë që ka interpretuar “Stabat Mater” të Rossinit.

“Ishte vepër e vështirë, sepse nuk është si veprat e zakonshme të Rossinit. Ajo është më e ndritshme dhe kjo është një lloj më shumë Verdi, është më e ngarkuar. Duhet të përdorësh më shumë zë që ta ndiesh atë ngarkesë që zakonisht nuk e ndien kur luan veprat e Rossinit”.

Interpretimi i fuqishëm i baritonit bullgar, Julian Konstantinov, shpesh shkrihet në ngjyra emocionale. Ai ka thënë se disa prej pjesëve të veprës kanë qenë më të vështira të luhen.

“Janë disa pjesë që kanë shumë vështirësi në interpretim, por mendoj se të gjithë interpretuesit e patën këtë vepër për herë të parë. Kam kënduar shumë pjesë të këtij lloji, është disi si ‘Stabat Mater’, por jo e njëjta. Kjo është më operistike, më e lehtë për dikë si unë që këndon le të themi 98 për qind opera. Më pëlqeu, janë disa gjëra interesante”.

Sipas sopranos Besa Llugiqi, vepra nuk është aspak e thjeshtë pasi duhet të ndryshojnë ngjyrat e zërit.

“Sopranoja në arien e saj është më dramatike, mund të them se flet për ferrin, lutet për veten, është një lutje që në të njëjtën kohë është edhe një frikë për veten që të mos ndëshkohet. Është jashtëzakonisht e ndjeshme, dramatike. Këtë në njëfarë mënyre e përshkruan edhe muzika nga Orkestra, po ashtu edhe Kori dhe e bën më madhështore si pjesë. Nuk është aspak e thjeshtë, sepse në fillim kërkohet një zë pak më lirik dhe më i butë në interpretim, për shkak të ngjyrave që ka me solistë të tjerë”.

Tenori italian, Pablo Karaman, ka thënë se muzika klasike ka fuqinë të krijojë lidhjet shpirtërore mes njerëzve, audiencave e vendeve.

“Është vepër e madhe, shumë prekëse, e thellë dhe muzika është e vështirë të përshkruhet, sepse vetëm kur mund të ndiesh emocionet brenda teje, mundesh t’i reflektosh te publiku. Vetëm Mozzart, Rossini, Puccini, Verdi, Beethoven mund ta bëjnë këtë lidhje me publikun”.

Me “Stabat Mater” të Rossinit, Kori i Filharmonisë së Kosovës në prill të këtij viti u ishte bashkuar Korit të Përzier dhe Orkestrës Shtetërore të Selanikut në Greqi. Institucioni e kishte vulosur nivelin e tyre edhe në vendin i cili nuk e njeh zyrtarisht Kosovën si shtet, por mban marrëdhënie diplomatike, veçmas ato në fushën e kulturës.

Në koncertin që vjen si bashkëpunim mes dy shteteve, skenën kulturore greke në koncertin e së premtes e ka reprezantuar edhe dirigjentja Mary Konstantinidou, e cila ka thënë se ka qenë shumë lehtë të realizohet bashkëpunimi.

“Ishte shumë e lehtë të jesh një zë, një kor apo dy kore. Kështu kemi interpretuar edhe në Selanik muaj më parë dhe ishte i njëjti rezultat i mirë. Sepse kemi përfshirë të njëjtën ide, kështu që ne mund të bëhemi së bashku shumë lehtë”.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se pritja e madhe nga publiku në Greqi u pati lënë shumë përshtypje dhe se përmes kulturës, sipas tij, po i kalon barrierat dhe po shtyn proceset shumë më përpara sesa çdo fushë tjetër. Sipas Jasharit, ky bashkëpunim do të vazhdojë.

“Ne realizuam këtë marrëveshje mes dy vendeve, e cila besoj se pas koncertit të sotëm sigurisht, siç e tha ambasadorja greke, janë shumë të interesuar që ky bashkëpunim të zgjerohet në vepra të tjera dhe të mos ndalemi këtu. Natyrisht ne jemi të gatshëm, aq më tepër me shtetin grek, siç thashë për shumë gjëra që na lidhin edhe në kulturë, edhe në fusha të tjera”.

Koncerti ka ardhur në kuadër të programit të edicionit të gjashtë të “Prishtina International Vocal Festival”. Drejtori i festivalit, Hajrullah Syla, ka thënë se qëllimi është të sillen emra të rinj për publikun.

“Ne si festival synojmë që secilën herë të sjellim emra që janë të dëshmuar në botë. Çdo koncert në këtë edicion është i veçantë në formën e vet, secili program që do të kemi edhe ditët në vazhdim do të jetë tejet atraktiv dhe besoj se do t’i interesojë publikut ta dëgjojë dhe shpresoj të kënaqet me këto koncerte”.

Përderisa Filharmonia vazhdon punën për këtë sezon, “Pri Vocal Fest” edhe ditëve në vazhdim do t’i sjellë publikut interpretime të veçanta.