Vepra “Rradha jote” e Diellza Salicanës në hapësirën e objektit ikonik të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ka sjellë rituale
Veprat artistike, pos estetikës, mëtojnë të sjellin histori, rrëfime e kujtime. Ajo e Diellza Salicanës zbërthen besëtytnitë. I sjell në zemër të kryeqytetit, në hapësirën e objektit ikonik të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Rituali është ndërveprimi i publikut me veprën “Rradha jote”, por koncepti i veprës zgjerohet më tej. Ngrit pyetje mbi traditat që koha i shuan e ngjall debate midis gjeneratash.
Kur muzgu bie në Prishtinë, dritat me ngjyra të ngrohta në Atriumin e Pallatit të Rinisë nisin të theksohen. Po ato ngjyra kanë edhe tjegullat e fiksuara në shtylla metali. Dhjetë gjithsej. Në secilën nga pesë. Vepra me përmasa të mëdha është instaluar në formë të pjerrtë.
Ajo çfarë lë përshtypje është ndërveprimi i publikut me instalacionin. Të pranishmit nuk hezitojnë të afrohen e të rrotullojnë tjegullat e lëvizshme në tri rendet e para. Por krejt kjo ka një simbolikë kur aty për aty manifestohet një ritual. Ashtu vepronin njerëzit nëpër objekte të kultit fetar me besimin se do ta gjenin fatin e jetës së tyre.
Autorja e veprës, Diellza Salicana, ka thënë se ideja për veprën ka lindur gjatë hulumtimit të një tyrbeje në Novobërdë, ku edhe ka mësuar se ekzistonte ky ritual. Kishte mësuar se ky ritual nuk kishte lidhje me fenë.
“Ideja ka qenë që vepra të jetë interaktive pasi që tema është që njerëzit e kanë bërë këtë ritual. Në vepër ideja është që publiku të mund ta prekë dhe të ndërveprojë me të. Njerëzit mund të vijnë gjatë kohës sa ekspozita është e hapur dhe t’i rrotullojnë ato siç edhe është koncepti”, deklaron Salicana.
Ekspozita qëndron e hapur për një javë dhe aty publiku ka mundësi të “kryejë” ritualin lirshëm. Salicana e zhvendos në hapësirën publike atë dhe e ofron tek njerëzit.
“Qëllimisht është bërë në një hapësirë publike, pasi Pallati i Rinisë është hapësirë publiku dhe specifikisht është zgjedhur Atriumi, sepse ka qarkullim shumë të madh. Ideja është që të përtërihet kjo trashëgimi kulturore, njerëzit të mësojnë sa më shumë për të. Është zgjedhur pasi ka shumë lëvizje këtu dhe gjeneratat e ndryshme mund të hyjnë brenda dhe të ndërveprojnë me veprën”, ka theksuar ajo.
Projekti i saj është njëri nga përfituesit e “Heritage Space VII” bashkë me pesë projekte të tjera që janë zgjedhur për t’u mentoruar nga ky program i fondacionit për trashëgimi kulturore pa kufij “CHwB Kosova”. Ky edicion kishte fokusin në arkivimin e shkëputjeve, trashëgiminë e krizave dhe rrëfim e interpretim.
Artisti e kuratori Vullnet Jakupi ka qenë pjesë e procesit hulumtues të instalacionit “Rradha jote”. Ka treguar se ka zgjatur afër një vit dhe se ka përmbajtur hulumtim kualitativ duke vizituar objekte të ndryshme fetare.
“Kemi startuar me Artanën, kemi marrë informacione lidhur me atë se çfarë është praktikuar në tyrben e Artanës ku jemi frymëzuar për instalacionin. Ideja e rrotullimit të tjegullave ka qenë më shumë të nxirret një frymëzim mbi atë se si është bashkuar komuniteti pavarësisht religjionit për zgjidhjen e një problemi të caktuar. Por ideja bazë mbi këtë punim ka qenë të hulumtojmë mbi atë se sa tradita janë duke u zhdukur me kalimin e kohës dhe se si ato mund t’i inkuadrojmë në mesin tonë për të ngjallur debate në mes të gjeneratave të ndryshme”, ka theksuar Jakupi.
Me “Rradha jote” autorja Diellza Salicana synon ta afrojë publikun edhe më pranë besëtytnive duke e bërë veprën e saj objektin ideal që del nga hapësira specifike.