EXPRESS

Profesoresha që merret me studimin dhe koleksionimin e fluturave

Ferdije Zhushi–Etemi ka 37 vjet që është profesoreshë e Departamentit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko–Natyrore në Universitetin e Prishtinës.

Si profesoreshë e zoologjisë së pakurrizorëve, ajo u ka kushtuar shumë vëmendje studimit të fluturave. Kjo vërehet sapo hyn në zyrën e saj.

Aty dëshmohet pasioni i saj, por puna më e madhe përqendrohet në teren. Nëpër zona të ndryshme të Kosovës deri tani ka identifikuar rreth 175 lloje të fluturave.

““Vendi ynë fatmirësisht bën pjesë në regjionin e Ballkanit, i cili është një “hotspot” për flutura dhe shumëllojshmëri. Ne deri sot i kemi konstatuar 175 lloje të fluturave, por hulumtimet nuk përfundojnë këtu, sepse herë pas here duhet t’i përsërisim hulumtimet dhe të shohim se mos ka ndryshuar diçka. Ato kërkojnë një monitorim të vazhdueshëm”, ka shpjeguar profesoresha e biologjisë”, tha Zhushi-Etemi.

Të bukura dhe delikate, fluturat kërkojnë shumë përkushtim gjatë punës me to.

Profesoresha e biologjisë tregon për procesin deri te koleksionimi i fluturave, të cilat thotë se nëse trajtohen me kujdes mund të ruhen me qindra vite.

“Në momentin që kemi zënë fluturën duhet të shkojmë në procesin që ta pasivizojmë dhe këtë e bëjmë me ndonjë substancë fizike. Pastaj përgatitja e fluturave për ndonjë koleksion siç i kam unë këtu kërkon mjaft punë. Pasi që të qetësohet ajo vendoset në një gjilpërë, gjilpëra vendoset në mënyrë pingule mes segmentit të parë dhe të dytë të gjoksit. Pasi thahen i vendosim për në koleksionim në një kuti prej druri, pastaj vendosim edhe substancë mbrojtëse për shkak se mund të krijohen parazitë të ndryshëm që i sulmojnë fluturat”, tregon profesoresha Ferdije Zhushi–Etemi.

Duke qenë se një pjesë të madhe të punës e bën me studentët, ajo u rekomandon atyre që të mos i mbledhin shumë në natyrë. Kjo për të mos e rrezikuar ekuilibrin natyror.

Profesoresha shpjegon se për t’i mbledhur fluturat hulumtimin e zhvillojnë në zona malore dhe në livadhe.

“Zakonisht shkojmë në zona të cilat vlerësohen si zona primare të fluturave. Zonat në të cilat është dëshmuar që ka një lloj më të madh të fluturave janë Malet e Sharrit dhe Parku Nacional i Bjeshkëve të Nemuna, por gjithashtu kemi hulumtuar edhe në Parkun Nacional të Mirushës, ku na ka dalë një llojllojshmëri jashtëzakonisht e pasur me flutura. Pastaj kemi hulumtuar prej Maleve të Carralevës, Maleve të Sharrit në drejtim të zonës Qendrore kah Malet e Berishës dhe Shkozës, ku ka edhe atje një llojllojshmëri të madhe”, ka treguar tutje ajo.

Zhushi–Etemi tregon se janë duke bërë hulumtime më të zgjeruara në Bjeshkët e Nemuna, zonë në të cilën hulumtime si ky kanë munguar për çerek shekulli. E më pas edhe në Malet e Koritnikut, ku deri tash nuk është bërë asnjë hulumtim i këtij lloji