Parku Kombëtar “Liria’ në qytetin e Ferizajt është kthyer në cak të vizitorëve të shumtë. Jo veç për freskinë e qetësinë që e ofron natyra përreth, por edhe për atmosferën që krijohet në festivalin “Play Fest. Arti dhe muzika si në secilin edicion tjetër janë baza mbi të cilën realizohet tërë programi i festivalit që sivjet shënon edicionin.
Në “Play Fest” dallimet nuk vijnë në shprehje. Ka filluar me pjesën e programit për fëmijë. Të vegjlit kanë pasur mundësi që të shpalosin talentin në pikturë. Punimet e tyre janë të ekspozuara në ambientin shumëngjyrësh të hapësirës ku realizohet festivali.
Artë Rexhepi, pjesë e ekipit të “Play Fest”. e ka vlerësuar si një fillim të mbarë mënyrën se si ka nisur gjithçka në edicionin e pestë.
“Edicioni i pestë i ‘Play Festit’ ka nisë në mënyrën më të mirë të mundshme. Përgatitjet kanë filluar qysh më herët për këtë vit. pasi që edicioni i pestë është bërë tashmë shumë familjar për neve. Gjysmë dekade për ‘Play Festin’ me shumë qejf dhe jemi shumë të gëzuar që ditën e parë e kemi pasur me ‘Play Kid’, edhe ka pasur shumë interesim prej fëmijëve. Jemi mbushur shumë energji duke e filluar këtë super edicion dje me shumë fëmijë, kështu që gjithçka ka shkuar shumë mirë. Sot jemi në natën e dytë me jazz kështu që shpresojmë të vazhdojë shumë mirë”.
Nata e dytë e festivalit ka vazhduar me filma e muzikë. Në kinemanë në ambient të hapur janë shfaqur dy filmat fitues në edicionin e fundit të “FerFilm”.
Pëllumb Bekteshi, organizator i “Play Festit”, ka treguar për këtë bashkëpunim.
“Shfaqja e filmave ka ndodhur në bashkëpunim me ‘Ferfilmin’, një festival i filmit që ndodh këtu në Ferizaj, kështu që kemi vendosur të bashkëpunojmë dhe filmat fitues të këtij viti në këtë festival i kemi shfaqur edhe ne në festivalin tonë”.
Në këtë edicion e kanë gjetur hapësirën për ta shprehur talentin e tyre në muzikë edhe artistë të rinj.
“Ellma and the Band” , Ermal Demiri dhe Riad Ramadani argëtuan publikun me këngë të përpunuara dhe origjinale të zhanrit jazz dhe rock. Krejt kjo si pjesë e një prej qëllimeve kryesore të festivalit, i cili është promovimi i talenteve të reja në muzikë dhe fusha të tjera të artit.
“Qëllimi i ‘Play Festit’ ka qenë që të gjithë të bëhen pjesë e këtij festivali, të jemi bashkë edhe ta gjejë secili veten këtu. Sonte kemi pasur ‘Movie night’ ku janë shfaqur dy filma, kemi pasur pikturë gjatë ditës e tash kemi muzikë jazz, ku kemi artistë të ftuar nga vetë festivali, por gjithashtu kemi krijuar hapësirë që edhe të rinjtë të cilët kanë dashur të jenë pjesë e jona me qenë pjesë e skenës. Këtë edicion ky ka qenë edhe dallimi prej viteve të tjera që kemi qenë mbështetës ndaj artistëve të rinj edhe po besoj që e kemi arritur qëllimin, sepse sot i kemi prezentë të gjitha moshat edhe po e shijojnë natën. Uroj që këso net të kemi edhe në vazhdim të festivalit”, deklaroi Rexhepi.
Orët më të vona të mbrëmjes sollën në skenën e “Play Festit” bende e këngëtarë tashmë të njohur. Grupi i muzikës alternative “7me7” këndoi para të pranishmëve disa prej këngëve hit për t’ia lënë skenën këngëtarit nga Ferizaj, Shpend Hysaj.
“Festivali ‘Paly Fest’ tashmë po e mban edicionin e tij të 5-të edhe veçse po bëhet një kulturë në rritje në këtë ambient të bukur të parkut të qytetit edhe po mbledh njerëz nga krejt vendet përreth gjë, që është shumë e rëndësishme. Po është një mundësi shumë e mirë edhe për t’i prezantuar talentet e reja, por edhe për të kaluar çaste shumë të mira”.
Hysaj bashkë me instrumentistët kënduan hite nga “The Police”, Steve Wonder e të tjerë yje të muzikës rock.
“Meqenëse në njëfarë forme jam në shtëpi, shumicën e anëtarëve të bendit i kam shokë shumë të mirë, me të cilët jemi rritur bashkë në Ferizaj dhe jemi rritur me muzikë alternative dhe rock and roll, kështu që sot e kemi një listë të tillë me muzikë rok dhe uroj që të gjithë që jemi këtu të kalojmë mirë”.
Që “Play Festi” është kthyer tashmë në destinacion për te gjithë qytetarët brenda e jashtë Ferizajt e ka dëshmuar edhe prezenca e shumë vizitorëve.
Elza Beluli, arkitekte me profesion, ka thënë se me të filluar stina e verës, fillon edhe diskutimi për kohën kur nis Festivali i artit dhe muzikës.
“Është momenti i parë sa hyra në festival dhe po ndihem shumë mirë, edhe e ndjeva menjëherë atë energjinë pozitive që festivali po e përçon. Ne si qytetarë mezi e presim këtë kohë që të vijë bashkë me festivalin. Është viti i 5-të dhe si shoqëri mezi presim që të vijmë dhe ta shijojmë këtë atmosferë, kështu që shpresoj që edhe ky vit do të jetë superior sikurse vitet e kaluara”.
“Play Festi” u përmbyll të dielën me muzikë elektronike nga DJ të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë.