EXPRESS

Piktori nga Mitrovica që gurët e Pogradecit i bën pjesë të artit

“Arti për mua është jeta ime, është krejt çka më plotëson. Posaçërisht në këtë moshë. Jetoj me të, është emocion”, kështu shprehet Skender Idrizi. Por teksa nis e shpalos rrugëtimin e tij artistik, ai tregon që jo gjithë jetën ia kishte dedikuar profesionit për të cilin kishte studiuar.

Tash i pensionuar, shumicën e kohës e kalon në atelienë e tij që ndodhet jo shumë larg qendrës së qytetit të Mitrovicës.

Brenda katër mureve të saj, ai zbraz botën e tij artistike në pëlhurë. Kjo dëshmohet në dhjetëra piktura të vendosura aty. Ani pse është ndër grafistët e parë të diplomuar, rrethanat bënë që ai ta braktiste artin për vite të tëra.

Veprimtarisë artistike iu kthye me pikturë, aty ku hetohen teknikat e një grafisti. Skënder Idrizi, i cili pas pensionimit iu dedikua tërësisht pikturës, vendosi që rikthimin ta ketë në një hapësirë më të pazakonshme për vepra arti. Ekspozitën e parë personale, Idrizi e hapi në vendin ku shpalosen rezistenca historike e minatorëve dhe bukuritë e kristaleve.

“Në ciklin e parë të pikturave, motivi i parë ka qenë Miniera e ‘Trepçës’, pikërisht për faktin se kam jetuar aty dhe të afërmit të gjithë kanë punuar në minierë dhe ata i kam pasur një motiv”, tregon Idrizi, i cili kishte eksploruar minierën dhe kishte realizuar disa fotografi e më pas nga këto imazhe ishte inspiruar për të realizuar piktura.

Sa herë që inspirohet nga ambienti i jashtëm, ai e gjen motivin te pamjet e natyrës e që ato pamje i transformon nga këndvështrimi i tij artistik.

“Nga natyra marr inspirim, por atë inspirim nuk e imitoj bukfalisht, por e përjetoj dhe mandej e transformoj në pëlhurë”, thekson ai.

Pasi që të gjitha kujtimet e tij lidhen me minierën e “Trepçës”, piktori nga Mitrovica vendosi që për dy javë ta pasuronte këtë minierë me 40 punime artistike. Më pas ekspozitën e barti edhe në galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë.

“Si fëmijë kam hyrë në minierë dhe shkollën fillore e kam pasur përballë minierës. Në atë kohë mjetet kanë qenë më primitive dhe nuk kanë shkuar tre-katër muaj që ndonjë minator nuk ka vdekur në minierë dhe atëherë ka qenë një alarm i trishtueshëm për banorët. Ato janë emocione që kanë lenë pasoja dhe pikërisht për këtë arsye artit i jam kthyer prej horizontit të dhjetë”, ka treguar piktori Idrizi.

Përmes teknikës së akuareli, pikturat e tij përshkojnë nëpër një ambient dinamik. Meqë inspirimin e madh e merr nga natyra, në disa prej punimeve të tij ka përfshirë edhe gurë nga Liqeni i Pogradecit.

“Në pikturë gjithkush e kërkon një mënyrë të veçantë për t’u shprehur. Më ka tërhequr natyra që ta bëj një strukturë dhe kam përdorur material të ndryshëm, më së shumti më janë përshtatur gurët e imtë prej Liqenit të Pogradecit, sepse është nga uji dhe është i pastër pa dhe”, ka shpjeguar ai.

Skender Idrizi deri tash është prezantuar me ekspozitë personale në Prishtinë, Shkup, Gostivar dhe Fier dhe në shumë ekspozita kolektive. Por që planet e piktorit nga Mitrovica janë që punimet e tij t’i prezantojë edhe përtej botës shqiptare.