EXPRESS

Pesëdhjetë ditët e Pavarësisë së Arbëreshëve

Artistja arbëreshe Genny Petrotta me ekspozitën e titulluar “Mëma më fal – Mamma perdonami” i sjelli skenës bashkëkohore artistike të Kosovës një video-instalacion i cili pasqyron një histori të trishtë të arbëreshëve për të cilën dihet shumë pak. Si pjesë e projektit “Residency on the Road” e mbështetur nga Allianz Foundation, ky video-instalacion bëri bashkë artdashësit në Hangarin e Autostrada Biennale-s si nikoqire në Prizren.

Në periudhën e dimrit të vitit 1944-45 shpërthyen kryengritje popullore në disa qytete të ndryshme siciliane, të cilat ishin kundër një sistemi feudal që po i privonte ata nga të korrat e tyre. Ky sistem çoi në një zi buke për të gjithë popullsinë vendëse. E në Piana degli Albanesi, më 31 dhjetor 1944, në mes të këtyre kryengritjeve, ngjau dhe shpallja e "Republikës Popullore fshatare të Piana degli Albanesi", e udhëhequr nga Giacomo Petrotta, një kundërshtar ushtarak që kishte lënë rishtazi Partinë Komuniste Italiane në protestë kundër pranimit të ish-fashistëve dhe individëve që bashkëpunonin me mafinë si anëtarë të partisë. Kjo republikë u shua kur 2 mijë oficerë e pushtuan qytetin Piana degli Albanesi dhe arrestuan Giacomo Petrottan, duke e nënshtruar atë dhe kryengritësit e tjerë nën tortura brutale.

Artistja përmes kësaj vepre artistike, e cila vjen si një elegji e thurur për fatin e hidhur të arbëreshëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, jetësohet si kompozicion i pasur dhe unik përmes video dhe audio-mediumeve. Pjesë e instalacionit ishin disa elemente tradicionale; si punimi i plisit nga Ergyle Gjurgjialo, performancë vokale nga Fromba Krasniqi, si dhe detaje të xhirimeve kinematografike që kishte bërë Petrotta në punëtorinë “Filigrani” në Prizren gjersa zanatlinjtë punonin emrin e ekspozitës në filigran. Përmes kësaj artistja është munduar të bëjë një lidhje mes arbëreshëve dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Jam në Prizren sepse dua të lidhë këtë histori të komunitetit tim arbëresh me komunitetin këtu sepse besoj që ka diçka që ju takon dhe i bashkon të dyja komunitetet. Kam kaluar 20 ditë këtu duke punuar me mjeshtrit e filigranit, plispunuesit, andaj jam mundur që të kompozoj diçka vizualisht për këtë eksperiencë, dhe jam falënderuese për bashkëpunimin pasi që këtë e shoh si mënyrë të mirë për të ri rrëfyer një ngjarje” .

Emri i ekspozitës “Mëma më fal - Mamma perdonami” i punuar në filigran, e ekspozuar nën dritën e qirinjve si pjesë e instalacionit, për artisten përbën një kuptim të shtresëzuar identitar e poetik përmes të cilit ajo i bën homazh një pjese teatrale të titulluar po ashtu e luajtur nga kryengritësit e Piana degli Albanesi, në rrugët e qytetit.

“Ata e luanin këtë pjesë në rrugë duke kërkuar para që pastaj i dhuronin për më të varfrit e komunitetit. E kam pasur të pamundur ta gjej atë pjesë, andaj jam munduar ta rikrijoj disi, andaj e kam punuar titullin në filigran për t’i dhënë asaj një dimension tjetër vlerëshmërie” .

Vatra Abrashi, bashkëthemeluese e Autostrada Biennale, si nikoqire gjatë ekspozitës u shpreh e lumtur që kjo ekspozitë u realizua me sukses në kuadër të projektit “Residency on the road”, duke paraqitur vlera unike dhe ndërlidhëse me trashëgiminë kulturore.

“Qëllimi ka qenë me përfshi pjesëmarrës nga Kosova, Stambolli e Sicilia duke i sjellë fillimisht ata për një javë në Kosovë pastaj në Stamboll e pastaj në Palermo. Ky grup ka qenë shumë divers, ka pasur artistë, dizajner, fermer, kuzhinier, dhe vetë rezidenca është quajtur ‘Dekolonizimi i ushqimit, tokës dhe trashëgimisë’. Kështu që tema ka qenë gjithëpërfshirëse dhe na gëzon fakti që ka pas shumë interesim për të aplikuar nga Kosova, ku janë përzgjedh tre pjesëmarrës”.

Ndërkaq Bashkim Tejeci nga punëtoria “Filigrani”, të cilët ishin pjesë e veprës, u shpreh i kënaqur që pati rastin ta shihte projektin e përfunduar.

“Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për ne pasi që komunikimi ka qenë shumë i mirë dhe ne jemi munduar që t’i shfaqim vlerat tona përmes punës sonë. Shpresoj që dhe pala tjetër në këtë rast ka qenë e kënaqur me atë se çka kemi ofruar” .

Pasi që të pranishmit patën mundësinë të admironin video-instalacionin e Petrottas, ata patën mundësinë të zgjerohen tutje në rrugë artistike shqiptare të tjera. Këtë radhë në një udhëtim melodioz të luajtur nga Yll Megi, DJ nga Shqipëria, i cili kishte përgatitur një set me prodhimtari muzikore shqiptare nga vitet ‘60 e ’70, të cilat luheshin direkt nga pllakat origjinale. Nën tingujt e Fitnete Rexhës, Esat Bicurrit, Xhejlane Gutajt e emrave të tjerë që kanë lënë gjurmë në melosin popullor, të pranishmit i dhanë një përshëndetje të fundit kësaj suareje të këndshme në Prizrenin e filigranit, që ishte nikoqir i dhimbjes arbëreshe.