Katërkëndëshi i ëmbëlsirës e cila është e njohur në Ballkan, e që konsumohet sidomos gjatë festave, ia merr kohën më të madhe. Hylka Hakaj ka 21 vjet që merret aktivisht me përgatitjen e saj dhe çdo petë e bën me dromca dashurie.
“Ka shumë vite, 21 vjet prej kur kam filluar me bakllavën e pare. Kam nisur me baklava sepse më kanë shkuar shumë dhe i dua, pastaj kam vazhduar me brumëra. Mirëpo 10 ditë para Bajramit i kam lënë ato dhe po merrem vetëm me bakllava”, ka thënë Hakaj.
Pavarësisht llojeve të ndryshme të bakllavave, ajo vazhdon të jetë ithtare e asaj që bëhet në formë tradicionale.
“Bëhet brumi sikur gjithmonë me ve, qumësht, yndyrë, por duhet të dish edhe ta bësh. Nuk duhet të jetë as i forte, as i butë. Bëhen petët, vendosen petët në tepsi, lyhen ato në çdo të shtatën, vendosen arrat në mes, sa vendosim petë poshtë aq edhe lart, pastaj bëhet prerja. Duhet të jetë edhe e mire edhe e shijshme”.
“Përgatitja e një bakllave merr goxha kohë, rendisja e petëve 1 orë, mandej 4-5 orë merrë pjekja, pastaj duhet të lihet të ftofet dhe pastaj të përvëlohet. Është mire të rri një natë bakllava që ta pi sherbetin”, shtoi ajo.
Këtë Bajram, Hakaj thotë se është shtuar puna edhe më shumë me ardhjen e mërgimtarëve. Në dyqan takuam edhe kolegun e punës, i cili tregon arsyen pse s’e ndërrojnë bakllavanë e Hylës me asnjë tjetër.
“Sigurt dihet, tezja Hylë i bën me një shije të veçantë, andaj gjithçka është në rregull këtu. Gjithçka, këtu gjithçka është e veçantë dhe nuk mund të veçosh asgjë”, ka thënë Arben Sllovenja.
E për fund, Hyla Hakaj ka një urim për festën.
“Të gjithë besimtarëve musliman iu uroj Bajramin, të kenë sa më shumë gëzime e lumturi, e mërgimtarëve në veçanti pushim të mire për këtë Bajram”.