EXPRESS

“Mos ëm kqyr” i flet gruas

E errëta është ajo që përçojnë në shikim të parë, përderisa thellimi në to vizitorin e bën të kuptojë se secila nga pikturat ka ndriçimin në qendër. E bën gruan protagoniste teksa e trajton si hyjneshë.

Gjashtë pikturat e ekspozitës “Mos ëm kqyr” janë ato të cilat përcjellin një cikël të tërë të këndvështrimeve për gruan.

Me anë të tyre Ariana Bekteshi zgjodhi labirintin e vlerësimit të gruas ndër vite, duke e minimizuar një rrugë e cila deri te kjo ekspozitë mund të konsiderohet komplekse.

“Me këtë ekspozitë kam dashur të tregoj për fjalën “mos ëm kqyr” ku ne si femra jemi ndonjëherë të ndjeshme dhe ajo që ekspozojmë, që duam me arrit në jetë, është një sy që të vështron prej një distance që të bën të ndihesh keq, dhe kjo është pjesë e asaj që i referohemi me “Mos ëm kqyr”.

Edhe nëpër titujt e veprave ka simbolika e mesazhe. Bekteshi ka thënë se shpreson që me këtë ekspozitë ka arritur të konceptojë reflektime në radhë të parë për veten.

“Edhe në bazë të pikturave kam dashur të shprehi dhe të shpjegoj se cila mundet me startu dhe me dalë në një pikë kur tregon pjesa emocionale e cdo femre ku ajo në çfarëdo rrugëtimi që merr të mirë apo të keq prap e fillon. Është piktura “Blind Truth” që ka pjesën e hënës, ku ajo e fsheh emocionin përmes figurës së hënës. Në fund ajo tregon që është embrioni që ajo tregon se është përendeshë e saj me “The Goddes” që është piktura e fundit. Me gjithë këtë koncept mendoj se kam arritur një sukses pikë së pari për vetën time”

Kjo është ekspozita e katërt e saj dhe rikthehet pas një pauze prej gati 15 vjetësh, ndonëse nuk pushoi asnjëherë së zhvilluari art.

Të suksesshme e pa këtë ekspozitë profesori dhe artisti Musë Prelvukaj, që Bekteshin si artiste e njeh qysh nga bankat shkollore.

“Ariana ka evoluar. Ka ecë para. Ka bërë shumë piktura. Por pos sasisë ajo ka edhe kualitet. Mjafton tri ose katër punime t’i shohësh që të japësh një vlerësim për Arianën. Këtu është në një stil. Ka edhe elemente surrealiste dhe të pikturimit sipërfaqësorë, por te figuracioni është shumë e kujdesshme. E kultivon figuracionin me një pedanteri dhe një shkrirje të ngjyrave, duke kërkuar plastikën apo formën e kompozicionit që ajo kultivon”.

Shkrirja e ngjyrave e vijat e qarta të ekspozitës duket se kënaqën edhe artisten nga Shkupi, që synon që prillin ta pasurojë me një ekspozitë me fotografi në të cilën do të ndajë përjetime nga Ukraina.

“Jam e impresionuar. Jo vetëm nga talenti por edhe nga temat për të cilat ajo është duke punuar. Është fasionuese për mua. Ky është arti i vërtet dhe ajo është me të vërtetë shumë e talentuar. Jam e lumtur që jam në Prishtinë për të parë këtë ekspozitë”.

Ekspozita “Mos ëm kqyr” u mbyll këtë të martë, përderisa u hap pesë ditë më parë.